Zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit serb

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2026, 15:58 | Ballkani

Parlamenti i ri i Serbisë zgjodhi të enjten profesorin e Universitetit të Beogradit, Aleksandar Çupiç, në postin e kryetarit të Kuvendit.

Çupiç u zgjodh në krye të Parlamentit me 140 vota pro, nga 250 deputetë që ka Parlamenti serb, shkruan A2 CNN.

Në fjalimin e tij të parë, ai deklaroi se synon të “rikthejë dinjitetin” e institucionit ligjvënës. Fjalimi u mbajt përpara një salle gjysmë të boshatisur, pasi deputetët e opozitës ishin larguar nga seanca.

Lista Studentore e Serbisë, një grupim ku bëjnë pjesë akademikë, profesionistë, fermerë, aktorë dhe aktivistë të përzgjedhur nga asambletë studentore, hyri në Parlament të martën, pas fitores në zgjedhjet e tetorit. Rezultati i zgjedhjeve i dha fund 14 viteve të qeverisjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Fitorja ndaj ish-presidentit Aleksandar Vuçiç, pas dy vitesh protestash të udhëhequra nga studentët, u shoqërua me festime në rrugët e vendit. Megjithatë, grupimi i ri, pa përvojë të mëparshme në qeverisje, përballet tashmë me sfidën e drejtimit të institucioneve dhe administrimit të vendit.

Lista Studentore ka premtuar zbatimin e një programi të brendshëm kundër korrupsionit, i cili do të përqendrohet te reforma dhe ristrukturimi i institucioneve shtetërore. 

Sa i përket Kosovës, fituesit e zgjedhjeve kanë mbajtur qëndrim thuajse të njëjtë me paraardhësit, duke thënë se e shohin si pjesë integrale të territorit të Serbisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos