"Koalicioni më i ndryshëm që prej ‘91", Berisha as pohon dhe as mohon negociatat për bashkitë

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2026, 15:02 | Politikë

Kur kanë mbetur dhe 11 ditë nga afati që degët e Partisë Demokratike duhet të paraqesin në kryesi emrat e kandidatëve për zgjedhjet vendore, Sali Berisha as mohon e as pohon negociatat me aleatët.

“Ne po punojmë”, tha Berisha, shkruan A2.

Përballë mediave thekson se do të ketë një koalicion ndryshe, ku të përjashtuar janë vetëm ata që mbështesin mazhorancën: “Është i ndryshëm nga çdo koalicion që është bërë nga viti ‘91 deri sot. Kjo do të thotë, përpjekjen e ndershme për të bashkëpunuar me çdo forcë politike, çdo grup interesi dhe të gjithë ata që konsiderojnë të keqen më të madhe Edi Ramën dhe narkoshtetin e tij. Një bashkim duke ruajtur të gjitha identitetet. Një bashkim edhe me ata që platformën e tyre e kanë kundër Partisë Demokratike”.

Në Kuvend shton se Selia Blu do të mbështesë partitë e vogla opozitare për sistem zgjedhor proporcional kombëtar dhe lista të hapura: “Ato që kemi paraqitur ne janë kërkesa jo vetëm të Partisë Demokratike, por janë kërkesa të të gjithë spektrit opozitar”.

Mbështetje kërkoi për protestën e datës 28 nëntor: “Mbështetjen më të fuqishme dhe thirrja ime është sot për çdo anëtar dhe anëtare, për çdo mbështetëse dhe mbështetës Partisë Demokratike me 28 nëntor të gjithë në Tiranë”.

Në konferencë Berisha e nisi qëndrimin duke denoncuar buxhetin e vitit të ardhshëm, për të cilin tha se nuk mbështet pensionistët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos