Deputetja e Partisë Socialiste, Etleva Budini, zgjodhi të heshtte për faktin se ajo mund të verifikohet nga SPAK për vjedhjen e 700 mijë eurove të pensionistëve në Durrës, për kohën kur mbante detyrën e drejtoreshës së Postës në këtë qytet.
Pavarësisht insistimit të kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, që ajo të jepte shpjegime nëse kishte dorë në vjedhjen e këtyre parave, Budini zgjodhi të kryente vetëm detyrën për të cilën ishte përcaktuar, të relatonte për buxhetin e vitit 2027, madje edhe për të ardhurat e pensionistëve, shkruan A2 CNN.
“Janë vjedhur fonde kudo. Po të vjedhësh dhe lekët e pensionistëve, ky është një minimum i ulët, i ri, që nuk e kishte arritur askush. Ne duhet që të flasim. Kemi nevojë që të marrim vesh çfarë ka ndodhur me fondet e pensionistëve në Durrës”, tha Tabaku.
Mungesa e llogaridhënies për këtë akuzë u dha shkas socialistëve dhe demokratëve që ta kthenin diskutimin për disa minuta në një përplasje politike, por me tone të qeta dhe metafora letrare.
“Lokomotiva sot që udhëheq mendimin politik të Partisë Socialiste është vjedhja, hajdutëria, korrupsioni. Alfabeti i gjuhës shqipe që ka 36 shkronja, po të jetë puna për të vjedhur, ja hiqni 10 shkronja, e bëni me 26”, tha Agron Gjekmarkaj.
“Kur po kalonte një gomar në mal dhe iu turrën ujqërit ta hanin. Dhe gomari thoshte: 'Zot, bëma ëndërr! Kambanat në shesh bien për opozitën”, tha Arbian Mazniku. Aq të qeta ishin tonet, sa përtej tryezës Gjekaj nuk arriti të dëgjonte kolegun socialist, Mazniku. “Foli pak me zë të ulët, dreqi, dhe nuk është se i mbajta mend të gjitha. Jo, i harrova çfarë tha, s'mbaj mend tani”.
Socialistët, në buxhetin e vitit 2027, parashikojnë dyfishimin e pensioneve, si dhe indeksimin e tyre, të cilin do ta kryejnë në muajin prill, një muaj para zgjedhjeve. (A2 Televizion)