
Një sulm kibernetik ndaj sistemeve të lidhura me FBI-në ka ekspozuar të dhëna jashtëzakonisht sensitive të agjentëve të saj, përfshirë informacione mjekësore dhe të dhëna personale.
Grupi kibernetik ShinyHunters pretendon se ka depërtuar në sistemet e përdorura nga FBI-ja dhe se ka siguruar të dhëna të mijëra punonjësve, përfshirë rezultate analizash gjaku dhe urine, raporte mjekësore dhe të dhëna mbi gjendjen fizike të agjentëve, shkruan A2CNN.
Sipas të dhënave të publikuara si mostra, informacionet përfshijnë gjithashtu emra, adresa, numra telefoni, numra distinktivësh, pozicione pune dhe të dhëna familjare. Disa dokumente përmbajnë edhe shënime të mjekëve dhe informacione mbi probleme shëndetësore.
BBC raporton se ka shqyrtuar disa prej dokumenteve të pretenduara si të vjedhura dhe se ato duken autentike. Megjithatë, shkalla e plotë e incidentit dhe origjina e të dhënave ende nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. (A2 Televizion)