“Po humbasim njerëzillëkun nga AI”, Paralajmërimi i fortë i Papës: Makineritë do të marrin kontrollin e tokës

Nga Erjon Dervishi
25 Shtator 2026, 18:16 | Bota

Vizitën katërditore në Francë, Papa Leoni e nisi me një paralajmërim të fortë. Ai i bëri thirrje botës të rishikojë zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, e cila, siç tha ai, mund të krijojë një të ardhme ku një “parajsë makinash” merr kontrollin e tokës.

Papa i parë amerikan, i cili gjatë 16 muajve të papatit të tij e ka vendosur në qendër të vëmendjes paralajmërimin për rreziqet e inteligjencës artificiale, e bëri këtë çështje një nga temat kryesore të vizitës së parë papnore në këtë vend pas gati 20 vitesh.

“ nëse duam të shmangim humbjen e njerëzillëkut tonë mes një ‘parajse makinash’ që po pushton dhe kushtëzon jetën tonë të përditshme, kemi nevojë urgjente për edukim mbi aftësinë për të bërë dallimin etik.”

Papa u tregua i ashpër edhe ndaj iniciativave që lejojnë surrogacinë apo vdekjen e asistuar të atyre që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, pak muaj pasi politikanët francezë miratuan masa të tilla.

“Jam i shqetësuar… nga ato prirje në shoqëri që rrezikojnë ta kthejnë shkencën dhe teknologjinë në veprimtari të drejtuara nga fitimi, duke nxitur manipulimin gjenetik, surrogacinë, tregtinë e organeve njerëzore ose mundësinë për t’i dhënë fund jetës së dikujt me vullnetin e tij.”

Papa u prit në aeroportin e Parisit nga presidenti Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, si edhe nga fëmijë që kënduan për të dhe i kërkuan autografe.

Gjatë vizitës intensive në tri qytete të Francës, Leoni do të përpiqet të përmirësojë imazhin e Kishës atje, pas skandaleve të abuzimit që shkaktuan tronditje në mbarë vendin. Ai pritet gjithashtu të paraqesë një vizion për të ardhmen e Evropës në një fjalim të hënën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos