Sulm me dron ndaj bazës në Erbil, vritet një ushtar francez, reagon Macron: I papranueshëm

Nga A2 CNN
13 Mars 2026, 07:55 | Bota

Sulm me dron ndaj bazës në Erbil, vritet një ushtar francez,

Një ushtar francez është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dron ndaj një baze ushtarake pranë qytetit të Erbilit, në veri të Irakut, në një moment kur dhuna në rajon po përshkallëzohet për shkak të luftës mes SHBA-Izraelit dhe Iranit.

Baza e sulmuar ndodhet në perëndim të Erbilit dhe strehon trupa franceze dhe irakiane që janë të angazhuara në operacionet kundër organizatës terroriste ISIS. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë “Rezistenca Islamike në Irak”, një koalicion grupesh të armatosura të lidhura me Iranin, të cilat kanë ndërmarrë edhe sulme të tjera ndaj interesave amerikane në vend.

Lajmin e konfirmoi edhe presidenti francez Emmanuel Macron në një postim në X, ku njoftoi se ushtari i vrarë është Marshall Arnaud Frion, pjesëtar i Batalionit të 7-të të Gjuetarëve Alpine të Varces. Ai i shprehu ngushëllimet familjes dhe kolegëve të tij, duke theksuar se sulmi ndaj forcave franceze është i papranueshëm. Sipas tij prania e trupave franceze në Irak që prej vitit 2015 është pjesë e luftës kundër terrorizmit.

"Familjes dhe shokëve të tij u shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe solidaritetin e kombit. Disa nga ushtarët tanë u plagosën. Franca qëndron pranë tyre dhe të afërmve të tyre. Ky sulm kundër forcave tona, të angazhuara në luftën kundër ISIS që nga viti 2015, është i papranueshëm. Prania e tyre në Irak është pjesë e luftës kundër terrorizmit. Lufta në Iran nuk mund të justifikojë sulme të tilla", shkroi Macron.

Sipas raportimeve, gjatë ditës janë kryer sulme edhe ndaj bazave ushtarake amerikane, konsullatës së SHBA-së në Erbil, ambasadës në Bagdad si dhe bazës Victory pranë aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit. Këto sulme kanë nisur që nga fillimi i fushatës ushtarake të SHBA dhe Izraelit kundër Iranit dhe janë intensifikuar në ditët e fundit.

Grupet e armatosura të lidhura me Iranin kanë deklaruar se sulmet janë hakmarrje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si dhe për operacionet ushtarake kundër Iranit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos