Sulme SHBA-Izrael në të gjithë Teheranin, dronë pranë Riadit dhe sirena alarmi në bazën ajrore turke

Nga A2 CNN
13 Mars 2026, 07:10 | Bota

Sulme SHBA-Izrael në të gjithë Teheranin, dronë pranë

Sulmet ajrore nga SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar në Teheran në ditën e 14-të të luftës, duke goditur gjithashtu edhe Kashanin, Isfahanin, Qomin dhe Arak-un. Ushtria izraelite njoftoi fillimin e një “vale të gjerë” sulmesh ndaj kryeqytetit të Iranit, Teheranit, ndërsa Izraeli lëshoi ​​urdhra për evakuim të detyruar mes sulmeve të reja ndaj kryeqytetit të Libanit, Bejrut.

Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit ka reaguar me një deklaratë për sulmet hakmarrëse ndaj Izraelit.

Sipas raportimeve të Al Jazeera, situata mbetet shumë e ndërlikuar. Më shumë se 1,400 persona raportohet se kanë humbur jetën, ndërsa disa zona banimi janë vënë në shënjestër të sulmeve.

Raportohet gjithashtu për sulme me dronë në Teheran, që sipas mediave lokale kanë pasur si objektiv pika sigurie dhe anëtarë të milicisë Basij. Në kryeqytetin iranian janë dëgjuar aktivizimet e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe zhurma e dronëve në disa zona. Djegia e depove të naftës ka shkaktuar ndotje të konsiderueshme të ajrit, ndërsa një pjesë e madhe e banorëve të Teheranit është evakuuar.

Sirenat e alarmit kanë rënë edhe në bazën ajrore Incirlik të Turqisë, e cila ndodhet pranë qytetit juglindor të Adanas, sipas agjencisë shtetërore turke të lajmeve Anadolu. Sirenat në bazën ajrore, e cila është një strukturë kyçe e NATO-s që strehon trupa amerikane, u dëgjuan rreth orës 3:25 të mëngjesit për rreth pesë minuta.

Incidenti ndodhi katër ditë pasi mbrojtja ajrore e NATO-s rrëzoi një raketë balistike në hapësirën ajrore turke , e cila pretendohet se u qëllua nga Irani, e dyta brenda pesë ditësh.

Ndërkohë edhe Ministria saudite e Mbrojtjes ka raportuar se një dron u rrëzua ndërsa përpiqej t'i afrohej Lagjes Diplomatike në Riad.

Kjo vjen pasi zëdhënësi i saj më parë tha se mbrojtja ajrore ka rrëzuar tetë dronë të tjerë në rajonet qendrore dhe lindore të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos