Sulm ndaj një spitali në Sudan, 64 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

Nga A2 CNN
22 Mars 2026, 17:15 | Bota

Sulm ndaj një spitali në Sudan, 64 të vrarë dhe

Të paktën 64 persona kanë humbur jetën dhe 89 të tjerë janë plagosur pas një sulmi ndaj një institucioni shëndetësor në Sudan, sipas raportimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Zyra humanitare e OKB-së në Sudan deklaroi më herët se ishte e tronditur nga sulmi ndaj një spitali në Darfurin Lindor, i cili dyshohet se ka shkaktuar viktima të shumta, përfshirë edhe fëmijë.

Sipas grupit sudanez për të drejtat e njeriut “Emergency Lawyers”, sulmi është kryer nga një dron i ushtrisë sudaneze, i cili ka goditur spitalin në qytetin El-Daein.

Rajoni i Darfurit vijon të jetë një nga zonat më të tensionuara në vend. Forcat paramilitare Rapid Support Forces (RSF) kontrollojnë pjesën perëndimore, ndërsa ushtria mban nën kontroll lindjen, qendrën dhe veriun e Sudanit.

OBSH e ka konfirmuar incidentin përmes sistemit të saj të monitorimit të sulmeve ndaj shëndetësisë, duke theksuar se në sulm janë përdorur armë të rënda dhe janë prekur stafi mjekësor, pacientët, si dhe furnizimet spitalore.

El-Daein, kryeqyteti i Darfurit Lindor, është goditur vazhdimisht nga ushtria, ndërsa përplasjet mes palëve vijojnë në disa zona të vendit. Sulmet me dron janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, duke shkaktuar viktima të shumta dhe duke përkeqësuar situatën humanitare në Sudan.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos