10 shtete europiane janë gati të dërgojnë trupa në Ukrainë

Nga A2 CNN
20 Gusht 2025, 09:44 | Bota

10 shtete europiane janë gati të dërgojnë trupa në

Rreth 10 vende europiane janë të gatshme të dërgojnë forca në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë për vendin pas një marrëveshjeje paqeje, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, shkruan A2 CNN. Zyrtarë europianë kanë hartuar një plan për vendosjen e një “force sigurie” shumëkombëshe, e cila do të ketë si mision frenimin e çdo agresioni të ardhshëm rus. Sipas burimeve të cituara nga Bloomberg, tashmë pritet miratimi i presidentit amerikan Donald Trump për këtë nismë.

Në fazën e parë, trupat europiane, ku përfshihen edhe qindra ushtarë britanikë dhe francezë, do të vendosen në Ukrainë, por jo në vijën e frontit. Detyra e tyre do të jetë ndihma në trajnim dhe forcimi i ushtrisë ukrainase me kapacitete mbështetëse.

Një fazë e dytë e planit parashikon mbështetjen e SHBA-së, kryesisht në fushën e ndarjes së inteligjencës, mbikëqyrjes së kufijve, furnizimit me armë dhe ndoshta edhe në mbrojtjen ajrore. Megjithatë, përmasat e sakta dhe roli i kësaj force ende nuk janë të përcaktuara qartë dhe pritet të vendosen në ditët në vijim.

Presidenti Trump, i pyetur mbi këtë çështje, përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në terren pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje, por la të hapur mundësinë që SHBA të ofrojë mbështetje ajrore për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Ukrainës. “Kur bëhet fjalë për sigurinë, ata (europianët) janë të gatshëm të vendosin njerëz në terren. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë me shumë gjëra, veçanërisht nga ajri, sepse askush nuk ka kapacitetet që kemi ne”, tha Trump për Fox News.

Përmasat e ndihmës amerikane mbeten ende të paqarta, por zyrtarët europianë presin që të paktën Uashingtoni të ofrojë inteligjencë dhe furnizim me armë përmes partnerëve të tij europianë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos