Bashkimi Evropian ka pesë vite kohë për t'u përgatitur për një luftë të mundshme, sipas një plani ushtarak të përgatitur nga Komisioni Evropian dhe që do të paraqitet nesër në Bruksel.
Plani, i zbuluar nga Politico, titullohet "Udhërrëfyesi i gatishmërisë së mbrojtjes 2030" dhe parashikon që deri në vitin 2030, Evropa duhet të ketë "një qëndrim mbrojtës mjaftueshëm të fortë, të aftë për të penguar në mënyrë të besueshme kundërshtarët e saj dhe për t'iu përgjigjur çdo veprimi agresiv".
Dokumenti që pritet të miratohet nga Kolegji i Komisionerëve të enjten, do të diskutohet nga udhëheqësit e BE javën e ardhshme. Ai përbën strategjinë e parë gjithëpërfshirëse të Unionit për t'u përgatitur për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, në një mjedis të përcaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës dhe pasiguria në lidhje me qëndrimin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump.
Sipas draftit, "një Rusi e militarizuar përbën një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë evropiane në të ardhmen e parashikueshme". Edhe pse buxhetet e mbrojtjes të shteteve anëtare po rriten me shpejtësi, pjesa më e madhe e shpenzimeve mbetet "në thelb kombëtare, duke çuar në fragmentim, rritje të kostove dhe mungesë ndërveprimi".
Komisioni propozon që të paktën 40% e prokurimit të mbrojtjes duhet të bëhet përmes prokurimit të përbashkët deri në fund të vitit 2027 (nga më pak se 20% sot), ndërsa deri në vitin 2028, 55% e prokurimit duhet të vijë nga kompani evropiane ose ukrainase, një përqindje që do të rritet në 60% deri në vitin 2030.
Nëntë prioritete dhe tre projekte kryesore
Plani rendit nëntë prioritete kryesore për të mbushur boshllëqet kritike të aftësive: sistemet e mbrojtjes ajrore dhe anti-raketave, lëvizshmëria ushtarake, artileria, inteligjenca artificiale dhe mbrojtja kibernetike, raketat dhe municionet, dronët dhe teknologjitë anti-dronë, sistemet e luftimit në tokë, asetet detare dhe gatishmëria e përgjithshme mbrojtëse.
Ai gjithashtu prioritizon tre programe kryesore që Komisioni dëshiron t'i shohë të miratuara deri në fund të vitit. E para është ngritja e një strukture roje në krahun Lindor, për mbrojtje gjithëpërfshirëse në kufijtë lindorë të BE-së.
Krijimin e Mburojës Ajrore Evropiane, për një rrjet shumështresor të mbrojtjes ajrore evropiane si dhe ngritjen e Mburojës Hapësinore, për mbrojtjen e infrastrukturës hapësinore të BE-së.
Unioni planifikon që të gjitha projektet të fillojnë në gjysmën e parë të vitit 2026, me financim të plotë dhe kontrata të gatshme deri në fund të vitit 2028.
Dimensioni ekonomik
Komisioni vlerëson se BE mund të mobilizojë deri në 800 miliardë euro për mbrojtjen, duke përdorur instrumente financiare si programi SAFE prej 150 miliardë eurosh (kredi për pajisje), Programi Evropian i Industrisë së Mbrojtjes prej 1.5 miliardë eurosh, Fondi Evropian i Mbrojtjes dhe buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar që do të miratohet në vitin 2027.
Plani sqaron se shtetet anëtare mbeten sovrane për mbrojtjen e tyre kombëtare, por bën thirrje për bashkëpunim më të ngushtë, pasi investimet individuale çojnë në joefikasitet.
Gjermania, në qëndrimin e saj, theksoi se qëllimi duhet të jetë "krijimi i kushteve që shtetet të arrijnë objektivat e tyre kombëtare dhe ndërkombëtare të aftësive", ndërsa Suedia bëri thirrje për tregues për të matur "rezultatet e prekshme" në vend të përdorimit të mjeteve specifike.
Koordinimi me NATO-n
Komisioni thekson se plani do të zbatohet në koordinim të plotë me NATO-n, me qëllim shmangien e krijimit të strukturave paralele të mbrojtjes. Dokumenti gjithashtu pranon shqetësimet e vendeve në jug, si Italia dhe Spanja, duke theksuar se "Evropa nuk mund t'i injorojë kërcënimet që vijnë nga rajone të tjera të botës, si Lindja e Mesme dhe Afrika".
Objektivi qendror, sipas tekstit, është që BE-ja të fitojë një autonomi më të madhe strategjike në një botë gjithnjë e më të pasigurt. “Shtetet autoritare kërkojnë gjithnjë e më shumë të ndërhyjnë në shoqëritë dhe ekonomitë tona. Aleatët tanë tradicionalë po ndryshojnë prioritetet e tyre drejt rajoneve të tjera të botës. Qëndrimi dhe aftësitë tona mbrojtëse evropiane duhet të jenë gati për fushat e betejës së së nesërmes”, vëren drafti. (A2 Televizion)