Qyteti i Gazës dhe zonat përreth po vuajnë zyrtarisht nga uria masive dhe ka gjasa që ajo të përhapet, sipas një monitorimi global të urisë të publikuar më 22 gusht 2025, një vlerësim që pritet të rrisë presionin mbi Izraelin për të lejuar më shumë ndihma në territorin palestinez.
Sistemi i Klasifikimit të Fazave të Sigurisë Ushqimore të Integruar IPC tha se 514 000 njerëz, gati një e katërta e palestinezëve në Gaza, po përballen me urinë. Rreth 280 000 e këtyre njerëzve ndodhen në veri, në rajonin që mbulon Qytetin e Gazës, i cili, sipas IPC, vuan urinë pas gati dy vitesh lufte mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit, shkruan A2.
Kjo ishte hera e parë që IPC regjistron krizë jashtë Afrikës dhe grupi global parashikoi që kushtet e urisë do të shtrihen edhe në zonat qendrore dhe jugore të Deiral-Balahut dhe Khan Younisit deri në fund të muajit të ardhshëm. Ai pohon gjithashtu se situata më në veri mund të jetë edhe më e rëndë se në Qytetin e Gazës, por mungesa e të dhënave e pengon përcaktimin e saktë. Reuters më herët ka raportuar për vështirësitë e IPC për të siguruar të dhëna të nevojshme për të vlerësuar krizën. Që një rajon të klasifikohet si në krizë urie, të paktën 20% e popullsisë duhet të vuajë nga mungesa ekstreme e ushqimit; një në tre fëmijë të jetë i kequshqyer rëndë; dhe dy persona në çdo 10 000 të vdesin çdo ditë nga uria ose nga kombinimi i saj me sëmundjet.
Më parë, IPC ka regjistruar situatë të tillë vetëm në Somali, Sudanin e Jugut dhe Sudan. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e cilësoi urinë në Gaza si një “katastrofë të shkaktuar nga njeriu, një aktakuzë morale dhe një dështim i vetë njerëzimit”. Kjo është hera e pestë në 14 vitet e fundit që gjendja e urisë përcaktohet nga IPC, një nismë që përfshin 21 organizata ndihme, agjenci të OKB-së dhe organizata rajonale, e financuar nga Bashkimi Evropian, Gjermania, Britania dhe Kanadaja. Fëmijët nën moshën pesë vjeç janë më të ndjeshëm dhe më të rrezikuar nga sëmundjet dhe vdekshmëria.
Kirk Prichard shprehet: “Pra, shumica e rasteve të kequshqyerjes janë fëmijë nën moshën pesë vjeç. Ata janë më të prekshmit. Ata janë gjithashtu më të prekshmit ndaj pasojave, pra sëmundjeve dhe vdekshmërisë që shoqëron ato. Pasi mbushin pesë vjeç, nuk është se janë plotësisht të sigurt, por ka shumë më pak të ngjarë të kenë vdekshmëri që lidhen me kequshqyerjen”.
Rreziku nga infeksionet zakonisht rritet pas dyjavësh me mungesë ushqimi. Konsumi i rezervave të yndyrës nga trupi fillon të gërryejë indin muskulor dhe për këtë arsye punonjësit humanitarë përdorin metra matës të thjeshtë për të vlerësuar gjendjen e fëmijëve. Truri i një fëmije zhvillohet me ritmin më të shpejtë gjatë dy viteve të para të jetës. Edhe kur fëmijët mbijetojnë, ekspertët e ushqyerjes thonë se mungesa e ushqimit në këto vite të hershme mund të shkaktojë dëme të përhershme. Fëmijët që përballen me kequshqyerje të rëndë në këtë periudhë mund të mbeten për gjithë jetën me shtat më të shkurtër, peshë më të ulët dhe inteligjencë më të dobët.
“Kequshqyerja është një nga gjërat më të këqija që mund t'i ndodhë një fëmije. Dhe gama e efekteve shkon nga vdekshmëria tek dëmet e rënda. Ekziston diçka që quhet dritarja e një mijë ditëve që shqyrton ushqyerjen në periudhën kohore nga ngjizja deri në dy vjet jetë. Ka shumë të dhëna se sa e rëndësishme është ushqyerja e mirë gjatë asaj kohe. Dhe nëse jeni të kequshqyer në këtë përiudhë, do të keni një probabilitet për IQ më të ulët. Sistemi imunitar fillon të fiket, e dini, kështu që nuk mund të luftojë infeksionet bazike. Organet preken. Çdo aspekt i një fëmije preket nga kequshqyerja. Zhvillimi i tyre njohës, zhvillimi i trurit të tyre, gjithçka”, shpjegon Prichard.
DR. Amber Alayyan deklaron: “Problemi më i madh që është shumë akut në periudhën e fëmijërisë janë gjëra të tilla si vonesat në zhvillim. Pra, kjo pengon rritjen e tyre dhe gjithashtu pengon rritjen e trurit të fëmijëve. Pra, ata mund të kenë probleme me vonesat në të folur ose vonesat në lexim ose në marrëdhënie me prindërit e tyre. Dhe ekziston një komponent tjetër i kësaj që është lidhja midis prindërve dhe fëmijëve e cila ka një ndërprerje për shkak të disa prej këtyre vonesave të zhvillimit si pasojë e kequshqyerjes”.
Po cilat janë fazat e kequshqyerjes?
Ditët e para, trupi nis të shpërbëjë indet dhjamore për energji. Muskujt përdorin acidet yndyrore të prodhuara gjatë këtij procesi si burimin kryesor të energjisë. Këto acide yndyrore formojnë ketone në mëlçi, të cilat lëshohen në gjak dhe përdoren nga truri si karburant. Me kalimin e kohës, kjo masë emergjente e trupit mund të bëhet vdekjeprurëse. Pas një jave, kur rezervat e acideve yndyrore shterojnë, trupi përdor proteinat si burim energjie. Shpejtësia e këtij procesi varet nga sasitë e yndyrës në trup: sa më pak dhjamë, aq më shpejt përdoren proteinat. Shpërbërja e proteinës muskulore çon në humbje të masës muskulore. Pas dy javësh me përshpejtimin e shpërbërjes së muskujve, trupi humb funksionalitetin e zemrës, mëlçisë dhe veshkave. Kjo prish funksionet normale dhe e ekspozon trupin ndaj infeksioneve dhe komplikimeve të shumta. Me rënien në peshë, sistemi trupor preket më shumë dhe funksioni i qelizave përkeqësohet nga mungesa e proteinave. Probleme të tjera: humbje oreksi, rritje e irritimit. Pas vetëm tre javësh urie, pasojat përfshijnë: rënie flokësh, dëmtime të syve nga mungesa e vitaminës A, atrofi dhe dobësim muskujsh, ndjesi e vazhdueshme e të ftohtit, lëkurë e thatë dhe me luspa, kapsllëk kronik, enjtje të gjymtyrëve dhe humbje të masës kockore.
IPC kategorizon shkallën e pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes në një shkallë me pesë nivele. Rezultatet 3, 4 ose 5 kërkojnë veprim urgjent. Në fazën e tretë familjet kanë kequshqyerje të lartë ose mbi normalen, ose plotësojnë nevojat minimale ushqimore vetëm duke shitur pasuri apo marrë masa të dhimbshme.
Në fazën e katërt, flitet për kequshqyerje shumë të lartë dhe shkallë vdekshmërie, ose mbijetesë vetëm përmes shitjes së pasurisë dhe masave emergjente. Faza 5 është “Katastrofa” ose “Uria”: familjet kanë mungesë ekstreme të ushqimit dhe nevojave bazike; uria, vdekja, dëshpërimi dhe kequshqyerja kritike janë të dukshme.
Një zonë klasifikohet zyrtarisht si në uri vetëm kur pasiguria ushqimore e lartë shoqërohet me nivele të caktuara të kequshqyerjes dhe vdekshmërisë.
Dr. Alayyan shpjegon: “Problemi me kequshqyerjen është se ajo është një sëmundje. Është një patologji mjekësore. Është një problem. Dhe kështu jo vetëm që ata kanë nevojë për ushqim, por edhe për lloje të caktuara substancash mjekësore. Pra, ata duhet të fillojnë me këto substanca përpara se ushqimi të ndihmojë. Nëse janë në kufi dhe nuk janë plotësisht të kequshqyer, atëherë po, ndihma ushqimore është ajo që është absolutisht e nevojshme. Kequshqyerja më kronike, nënat e kequshqyera, veçanërisht nënat adoleshente dhe disa nga nënat më të reja, do të lindin fëmijë që kanë peshë më të ulët në lindje dhe kjo ndikon edhe në cilësinë e qumështit të gjirit”.
(A2 Televizion)