13 amerikanë të vrarë në luftë me Iranin. Shefi i pentagonit: Ajatollahu i ri i shpërfytyruar, po fshihen si minjtë

Nga Xhevahir Qardaku
13 Mars 2026, 16:07 | Bota

Me një ton të furishëm, si emri i operacionit ndaj Iranit, sekretari amerikan i luftës, Pete Hegseth, konfirmoi se SHBA-të po shkatërrojnë gjithçka, nga ushtria e deri të zinxhiri komandues.

“Udhëheqja e Iranit nuk është në gjendje më të mirë. Të dëshpëruar dhe të fshehur, ata janë futur poshtë tokës, duke u strukur. Kjo është ajo që bëjnë minjtë. Ne e dimë që i ashtuquajturi udhëheqës i ri jo aq suprem është i plagosur. Dhe me shumë gjasa i shpërfytyruar. Ai lëshoi një deklaratë dje, një të dobët, në fakt. Por nuk kishte zë dhe nuk kishte video. Ishte një deklaratë me shkrim. Ai bëri thirrje për unitet. Me sa duket, vrasja e dhjetëra mijëra protestuesve është lloji i tij i unitetit. Irani ka shumë kamera dhe shumë regjistrues zëri. Pse një deklaratë me shkrim? Mendoj se e dini pse”, tha ai, përcjell A2 CNN.

Megjithatë disa prej figurave kryesore të lidershipit në Iran, përfshirë presidentin, Masud Pezeshkian, dolën në sheshin kryesor të Teheranit, në një tubim për festën e Al-Kudsit. Në të njëjtën kohë raportohet të ketë ndodhur një sulm i fuqishëm nga Izraeli, që la një grua të vrarë e disa persona të tjerë të plagosur. Gjenerali Ahmad Reza Radan, Shefi i Policisë Iraniane gjatë tubimit sfidoi Amerikën dhe Izraelin duke thënë se Irani nuk ka frikë dhe pretendoi se “fitorja është afër”.

Pentagoni konfirmoi dhe njëherë se që nga 28 shkurti kur nisi operacioni kundër Iranit, ka humbur 13 ushtarë, përfshirë 4 që humbën jetën nga një incident me avionë në Irak, që “nuk u shkaktua nga një sulm i armikut”. Hegseth kritikoi ashpër raportimin e CNN se nuk ishte marrë në konsideratë mundësia që Teherani të bllokojë ngushticën e Hormuzit.

“Siç po e sheh bota, ata po shfaqin dëshpërim të plotë në Ngushticën e Hormuzit, diçka me të cilën po përballemi. Ne po merremi me të dhe nuk kemi pse të shqetësohemi për të. Jemi në një plan për të mposhtur, shkatërruar, çaktivizuar të gjitha aftësitë e tyre ushtarake kuptimplote me një ritëm që bota nuk e ka parë kurrë më parë”, shtoi Hegseth.

Më herët, SHBA-të thanë se do të lehtësonin sanksionet ndaj vendeve të tjera që blejnë naftë ruse dhe naftë të ngarkuar në anije në det, në një përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve. Një vendim ky që është kritikuar ashpër nga disa vende europiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos