Një seri shpërthimesh të fuqishme në intervale të shkurtra tronditën Teheranin këtë mëngjes, në ditën e katërmbëdhjetë të luftës së nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Disa media raportuan për prezencë të avionëve që fluturonin në kuotë të ulët mbi kryeqytetin e Iranit këtë të premte, shkruan A2.
Izraeli njoftoi nisjen e një tjetër “vale sulmesh në shkallë të gjerë” kundër regjimit, ndërsa Presidenti amerikan, Donald Trump, lëshoi një kërcënim të ri online ndaj Iranit, duke shkruar: “Ne po e shkatërrojmë plotësisht regjimin terrorist të Iranit…Marina e Iranit është zhdukur, Forcat e tyre Ajrore nuk ekzistojnë më, raketat, dronët dhe gjithçka tjetër po shkatërrohen dhe udhëheqësit e tyre janë zhdukur nga faqja e dheut. Ne kemi fuqi zjarri të pakrahasueshme, municion të pakufizuar dhe shumë kohë. Shikoni se çfarë u ndodh këtyre plehrave të çmendur sot. Ata kanë vrarë njerëz të pafajshëm në të gjithë botën për 47 vjet dhe tani unë, si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po i vras ata. Çfarë nderi i madh është ta bëjmë këtë”.
Njëzet e tetë drone që hynë në hapësirën ajrore të Arabisë Saudite u shkatërruan, ndërsa autoritetet në Dubai thanë se mbetjet e një predhe të kapur goditën një ndërtesë në qendër të qytetit. Në Irak, një aeroplan amerikan i furnizimit me karburant është rrëzuar në një “incident” që përfshinte dy avionë jo armiqësor. SHBA-të njoftuan se po lehtësojnë sanksionet ndaj naftës ruse të bllokuar në det, në një përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve dhe shqetësimet në lidhje me furnizimet globale.
Rusia fiton deri në 150 milionë dollarë në ditë në të ardhura shtesë nga buxheti nga shitjet e naftës, duke e bërë atë përfituesin kryesor të konfliktit në Lindjen e Mesme. Kjo sipas “Financial Times”. Të paktën 16 cisterna nafte, anije mallrash dhe anije të tjera tregtare janë sulmuar në Gjirin Persik që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt, sipas një analize të Neë York Times.
Ndërkohë, Presidenti francez Macron njoftoi se një ushtar u vra “gjatë një sulmi” në rajonin e Erbilit të Kurdistanit irakian. (A2 Televizion)