Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. 84 shtete, mes tyre dhe Shqipëria, votuan pro, 19 kundër dhe 68 shtete zgjodhën të abstenonin.
Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende, mes tyre edhe Shqipëria.
Shtetet që e propozuan zyrtarisht atë ishin Gjermania dhe Ruanda, ndërsa në mbështetje të saj kanë dalë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë. Në fillim të seancës, përfaqësuesja diplomatike e Berlinit sqaroi se vula e gjenocidit nuk i vendoset një populli, por kriminelëve që e kryen atë dhe atyre që e mohojnë.
“Misioni ynë është të nderojmë viktimat dhe të mbështesim të mbijetuarit. Kjo rezolutë nuk është e drejtuar kundër askujt, veçanërisht jo kundër Serbisë, një anëtare e nderuar e organizatës, por ekskluzivisht kundër autorëve të gjenocidit”, tha Antje Leendertse, ambasadore e Gjermanisë Në OKB
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ishte i pranishëm në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku pas miratimit bëri gjeste prej aktori, duke puthur flamurin serb dhe më pas duke mbuluar shpinën me të. Në fjalën e tij, paralajmëroi se kjo rezolutë do të hapë kutinë e Pandorës në rajon.
“Pse e propozuat rezolutën? Ne i kishim të gjitha vendimet. Gjithçka kishte marrë fund. Pse? Sepse dikujt i duhej politikisht. Unë personalisht shkova në Srebrenicë për t’u përulur, më linçuan dhe një ditë më vonë u zgjata dorën atyre që e bënë. Këtu nuk bëhet fjalë për pajtim. Kjo është diçka që do të hapë plagë të vjetra dhe do të krijojë kaos të plotë politik”, tha presidenti serb.
Në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës, forcat serbe kanë vrarë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në korrik të vitit 1995. Gjykata e OKB-së në Hagë ka dënuar një sërë kriminelësh për këtë gjenocid.
(A2 Televizion)