
Një studim i ri sugjeron se personat që konsumojnë shumë alkool mund të përjetojnë goditje të rrezikshme në tru një dekadë më herët se njerëzit që konsumojnë më pak alkool.
“Ata që pinin shumë alkool ishin mesatarisht 64 vjeç kur pësuan goditje në tru, krahasuar me ata 75 vjeç midis njerëzve që pinin më pak alkool”, thuhet në studim.
Studimi zbuloi se hemorragjitë në trurin e tyre ishin gjithashtu mesatarisht 70 për qind më të mëdha.
Sipas studimit, njerëzit që pinin rregullisht tre ose më shumë pije alkoolike në ditë kishin më shumë gjasa të përjetonin hemorragji intracerebrale, një lloj goditjeje vdekjeprurëse e shkaktuar nga gjakderdhja në tru, më rëndë dhe në një moshë më të re krahasuar me njerëzit që pinin më pak,
Përveç rrezikut të goditjes në tru, pijedashësit e shumtë kishin më shumë gjasa të tregonin shenja të sëmundjes së enëve të vogla cerebrale, ose dëmtimit të enëve të vogla të gjakut në tru që rrit rrezikun e demencës.
“Gjetjet tona sugjerojnë që pirja e tepërt e alkoolit, jo vetëm që rrit ashpërsinë e një goditjeje në tru me gjakderdhje, por gjithashtu mund të përshpejtojë dëmtimin afatgjatë të enëve të vogla të trurit”, tha në një deklaratë Dr. Edip Gurol, një nga autorët e studimit dhe neurolog i goditjeve në tru në Universitetin e Harvardit.
Studimi, i cili u botua në revistën Neurology, përfshinte 1,600 të rritur me një moshë mesatare prej 75 vjeç, të cilët ishin shtruar në spital për hemorragji intracerebrale.
Studiuesit theksuan se gjetjet tregojnë se frenimi i konsumit të alkoolit mund të ndihmojë në promovimin e plakjes së shëndetshme dhe shëndetit të trurit. (A2 Televizion)
