Një akt të rëndë agresioni e cilësuan autoritetet polake hyrjen e një numri të madh të dronëve rusë në hapësirën ajrore të vendit.
Avionët polakë dhe ato të NATO-s u mobilizuan për të rrëzuar objektet kërcënuese që kishin shkelur hapësirën ajrore, duke shënuar herën e parë që një anëtar i NATO-s angazhohet direkt kundër aseteve ruse në territorin e vet që prej fillimit të luftës.
Siç thuhet, përshkallëzimi i rrezikshëm ka ndodhur teksa Moska po ndërmerrte një valë të gjerë sulmesh ajrore kundër Ukrainës perëndimore. Kryeministri Donald Tusk akuzoi Moskën për provokim të shkallës së gjerë, teksa njoftoi se ishin në kontakt të vazhdueshëm me kreun dhe aleatët e NATO-s: “Një numër i madh dronësh rusë shkelën hapësirën ajrore polake. Ato dronë që përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë u rrëzuan. Me shumë mundësi kemi të bëjmë me një provokim në shkallë të gjerë. Por, në të njëjtën kohë, jemi në konsultim me aleatët tanë. Jam në kontakt të vazhdueshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Kjo është hera e parë që dronë rusë janë rrëzuar mbi territorin e një vendi të NATO-s. Prandaj, të gjithë aleatët tanë po e marrin situatën shumë seriozisht. Nuk kemi regjistruar asnjë viktimë”.
Kryeministri sqaroi se 19 dronë kishin shkelur hapësirën polake, pjesa më madhe e të cilëve kishin fluturuar nga Bjellorusia dhe se me gjasë 4 ishin rrëzuar. Tusk theksoi se Polonia kishte kërkuar zbatimin e nenit 4 të traktit të NATO-s, që parashikon konsultime të përbashkëta mes aleatëve, kur në opinionin e ndonjërit prej tyre, territori, siguria apo pavarësia janë të kërcënuara.
Konsultime me anëtarët e tjerë të koaliconit pritet të zhvillohen për të përforcuar mbrojtjen e Polonisë. Sipas Tusk, nuk ka arsye për të pretenduar se Polonia është në gjendje lufte, por se është më pranë një konfikti të armatosur se kurrë më parë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Varshava ka thirrur të ngarkuarin me punë të Rusisë atje, i cili refuzon pretendimet se dronë rusë kanë hyrë në Poloni, duke thënë se nuk ka asnjë provë për këtë. NATO që thirri një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut, deklaroi se është në kontakt të ngushtë me Varshavën.
Qytetarët në tre rajonet më të rrezikuara pranë kufirit, Podlaskie, Mazoviecki dhe Lubin u paralajmëruan të qëndronin në shtëpi, ndërsa fluturimet në kryeqytetin Varshavë u pezulluan përkohësisht.
(A2 Televizion)