
Pas dëmtimit të 38 degëve bankare dhe 42 bankomateve në Tiranë gjatë protestave, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me drejtuesit e sistemit bankar.
Në fjalën e tij Rama deklaroi se qeveria nuk do të bëjë asnjë lëshim përballë protestuesve të dhunshëm që gjatë këtyre ditëve kanë sulmuar institucionet, bizneset, bankat dhe forcat e Policisë. Sipas tij aktet e dhunës janë të orkestruara dhe të lidhura me forca të huaja që kanë si synim destabilizimin e Europës. Duke përmendur lëvizjen “Antifa”, Rama tha se në protestë ka të rinj e të reja të ekstremizuar.
“Ishte shumë e rëndësishme ta bënim këtë takim edhe me ju, pas një histerie dhune që mori peng Tiranën, duke krijuar idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte para gjithë Shqipërinë. Nga ne s’ka asnjë lëshim. Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të jashtëm. Po ndodh edhe në kryeqytete të tjera të Europës përmes një lëvizjeje marksiste neokomuniste që quhet ‘Antifa’. Vajza dhe djem të ekstremizuar që bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës për të burgosur e syrgjynosur këdo që sipas tyre përfaqëson të keqen dhe nga ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i vogël i lagjeve mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar. Pastaj ato kanë një mbështetje nga forca të huaja që kanë synim destabilizimin e Europës. Këta elementë nuk janë studentë. Ajo pjesë nuk është nxitëse e mbështetëse e dhunës”, tha mes të tjerash Rama.
(A2 Televizion)