Kosova është bërë pjesë e diskutimeve në Këshillin e Sigurimit të OKB. Duke informuar Këshillin e Sigurimit mbi Kosovën Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Peter Due analizoi tensionet në Kosovë dhe Serbi si dhe bëri thirrje për dialog, angazhim dhe zbatim të marrëveshjeve ekzistuese. Ai theksoi tensionet dhe fërkimet në rritje mbi çështjet ndërkomunale dhe ato që lidhen me pronën, duke përfshirë prishjet dhe dëbimet në veri të Kosovës dhe gjetkë, duke ngritur shqetësime mbi të drejtat e pronës, procesin e rregullt ligjor dhe ndikimet socio-ekonomike në komunitetet dhe bizneset lokale.
“Të marra individualisht, disa nga këto zhvillime mund të duken administrative ose të lokalizuara. Të marra së bashku, ato përforcuan perceptimet e pasigurisë dhe trajtimit të pabarabartë midis serbëve të Kosovës , duke gërryer besimin dhe duke ndikuar në karakterin shumëetnik të Kosovës”, tha Peter Due, përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.
Në mënyrë të paqartë, ai vuri në dukje gjithashtu ngecjen e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës , kufizimet në lirinë e shprehjes, duke përfshirë përdorimin e shenjave, simboleve dhe gjuhëve që lidhen me komunitetet jo-shumicë.
Nga ana e tij, Zëvendës kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca e cilësoi raportin e UNMIK-ut si selektiv, duke thënë se një pjesë e tij bazohet në propagandën serbe dhe përmban dezinformata për Kosovën.
“Është dëshpëruese që shumë nga këto raste të trajtuara dhe të diskutuara në raportin e UNMIK-ut bazohen kryesisht te propaganda serbe. Vlerësimet e pavarura tregojnë që kemi arritur sukses në luftën kundër korrupsionit, përforcim të sundimit të ligjit, si dhe institucione demokratike që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe avancojnë demokracinë”, tha Glauk Konjufca, ministri i Jashtëm i Kosovës.
Sakaq Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriç, përdori sërish propagandën e njohur serbe për gjoja jetën nën presion të serbëve që jetojnë në veriun e Republikës së Kosovës. Ai gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së teksa foli për aktgjykimin ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pretendoi se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës nuk mund të varet nga negociatat politike.
1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e forcave serbe në Kosovë. Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme, por në këtë drejtim shteti serb nuk ka punuar. (A2 Televizion)