Në Bllokun e Sigurisë janë konstatuar 118 persona, mes tyre 6 të mitur, ndërsa në Spitalin e Traumës janë gjetur 6 protestues, njëri prej të cilëve i mitur. Këtë bëri të ditur në një konferencë për shtyp komisioneri i Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi, pas monitorimit të komisariateve, Bllokut të Sigurisë dhe Spitalit të Traumës, pas shoqërimeve gjatë protestës.
Prençi njoftoi se janë administruar 6 ankesa për përdorim të pretenduar të dhunës gjatë ndalimit dhe shoqërimit të personave. Ai i cilësoi shqetësuese pamjet që, sipas tij, tregojnë dhunë ndaj protestuesve edhe pasi janë neutralizuar.
Komisioneri ngriti shqetësime edhe për mbipopullimin në Bllokun e Sigurisë. Kapaciteti zyrtar është 60 persona, ndërsa aktualisht mbahen 118. Në dhomat e sigurisë, të planifikuara për një person, qëndrojnë tre deri në katër persona, ndërsa dy prej tyre flenë në dysheme.
Sipas Prençit, 6 të miturit nuk mbahen në dhoma të veçanta, ndërsa janë evidentuar ankesa për kufizimin e kontakteve me familjarët, avokatët dhe psikologët.
Ai kërkoi nga policia ruajtjen e pamjeve filmike nga ambientet e shoqërimit dhe marrjes në pyetje, duke paralajmëruar se rastet ku konstatohen shkelje të ligjit do t’i referohen Prokurorisë.
Institucioni po shqyrton gjithashtu përdorimin e gazit lotsjellës, plumbave plastikë dhe kuadrin ligjor për shoqërimin e personave. Prençi theksoi se e drejta për tubim paqësor duhet të garantohet dhe se forca policore duhet të përdoret në mënyrë proporcionale.
“Grupet e ngritura nga institucioni kanë qenë në terren për monitorimin në komisariate, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës. Në Bllokun e Sigurisë u gjetën 118 persona, të cilët u kontaktuan nga ana jonë dhe mes tyre kishte 6 të mitur. Në Traumë u gjetën 6 protestues, ku njëri ishte i mitur.
U administruan 6 ankesa për përdorimin e dhunës në Bllokun e Sigurisë, ku u pretendua për dhunë gjatë ndalimit dhe shoqërimit të personave. Pamjet filmike janë shqetësuese për dhunën ndaj protestuesve, edhe pas neutralizimit të tyre. Po analizojmë pamjet dhe kemi marrë denoncime e ankesa edhe përmes telefonit. Çdo kufizim duhet të ketë bazë dhe të dokumentohet
Në dhomat e sigurisë, për një person qëndrojnë 3-4 persona, ku 2 persona flenë në dysheme. Kapaciteti zyrtar është për 60 persona, kemi një mbipopullim gati dyfish. Gjatë kontaktit me 6 të miturit që mbahen në Bllokun e Sigurisë, u konstatua se ata nuk janë në dhoma të veçanta, ku duhet të jenë sipas ligjit. Ankesat janë për kufizimin e kontakteve me familjarët, avokatin dhe psikologun për të miturit. Ne kërkojmë që e drejta për tubim paqësor të garantohet dhe dënojmë çdo akt dhune, pavarësisht se kush e shkakton atë. Policia duhet ta përdorë forcën në mënyrë proporcionale dhe kur është e nevojshme.
Kërkojmë nga policia të ruajë pamjet filmike në Bllokun e Sigurisë, të shoqërimit, marrjes në pyetje dhe shoqërimit të personave. Pas hetimeve tona, do t’i referojmë në Prokurori rastet kur ka shkelje të ligjit nga ana e policisë ndaj protestuesve. Ne jemi në procesin e shqyrtimit të hedhjes së gazit lotsjellës dhe përdorimit të plumbave plastikë, si dhe të rregullimit ligjor të momentit të shoqërimit të personave. Mendojmë se ka nevojë për një ligj të ri për rregullimin e policisë”, u shpreh Prençi. (A2 Televizion)