25 vite nga dita që ndryshoi botën, Amerika kujton të rënët e 11 shtatorit, sulmi në kullat binjake

Nga Xhevahir Qardaku
11 Shtator 2026, 11:34 | Bota

Sot është dita kur heshtja pllakos në Shtetet e Bashkuara. Amerikanët përkujtojnë sot 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një ditë ceremonish në Nju Jork, Uashington dhe Pensilvani.

Më 11 shtator 2001, katër avionë të rrëmbyer nga terroristët e al-Kaedës u përdorën për të goditur Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonin, ndërsa avioni i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani pasi pasagjerët tentuan të rimerrnin kontrollin.

Në total, 2 mijë e 977 persona humbën jetën në sulme, mes tyre 441 pjesëtarë të shërbimeve të emergjencës në Nju Jork.

Ceremonia kryesore zhvillohet në Memorialin e 11 Shtatorit në Nju Jork, ku do të lexohen emrat e viktimave dhe do të mbahen shtatë momente heshtjeje. Në Pensilvani do të nderohen 40 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të Fluturimit 93, ndërsa në Pentagon zhvillohet një tjetër ceremoni përkujtimore ku pritet të marrë pjesë presidenti Donald Trump.

Në Nju Jork, instalacioni “Tribute in Light” do të ndriçojë qiellin nga perëndimi deri në agim, duke rikrijuar simbolikisht siluetën e Kullave Binjake.

Sulmet e 11 Shtatorit, së bashku me luftën kundër terrorizmit që pasoi, ndryshuan për dekada politikat amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë, inteligjencës dhe politikës së jashtme.

Një çerek shekulli më pas, Shtetet e Bashkuara dhe bota kujtojnë viktimat e 11 Shtatorit dhe pasojat e një prej sulmeve më të rënda terroriste në historinë moderne. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos