“Janë partia e urrejtjes” JD Vance sulmon demokratët, Trump kërkon votën e amerikanëve

Nga A2 CNN
11 Shtator 2026, 07:41 | Bota

“Janë partia e urrejtjes” JD Vance sulmon demokratët,

J.D. Vance ka sulmuar demokratët duke i quajtur "partia e urrejtjes" dhe mobilizon republikanët përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Në një nga momentet më domethënëse të karrierës së tij politike dhe në atë që është prova e tij e parë si kandidat i vitit 2028, nënkryetari ndezi konventën në Dallas dhe prezantoi vizionin e tij për të ardhmen duke e vënë theksin te familja dhe fëmijët e tij.

Gjatë fjalimit, ai nuk përmendi luftën në Iran dhe as propozimin për një bonus prej 5 mijë dollarësh për qytetarët në rast fitoreje të republikanëve. I pritur me thirrjet “2028, 2028” nga të pranishmit, Vance u shpreh se fokusi aktual mbetet te zgjedhjet e mesmandatit.

"Është mirë të dëgjosh emrin tënd të thirret. Le të merremi me zgjedhjet e mesit të mandatit, pastaj do të shohim se çfarë ndodh", tha ai përpara se të niste një sulm frontal ndaj demokratëve.

"Janë partia që e përçmon Amerikën dhe simpatizon terroristët që kryen sulmet e 11 shtatorit. Le të mos harrojmë kurrë, Amerika u përket atyre që e duan. Nuk po i kërkoj askujt të bjerë dakord me mua për çdo politikë që bën administrata", tha ai.

“Ajo që kërkoj është të njihni kontrastin me radikalët dhe të vlerësoni arritjet e 18 muajve të fundit”, tha ai, duke paralajmëruar se amerikanët nuk duhet t’ia dorëzojnë vendin një “grupi njerëzish të çmendur” që, sipas tij, do ta shkatërronin Amerikën dhe familjet e tyre.

“Ajo që dua për familjen time, e dua edhe për tuajën, sepse puna ime është të luftoj për të gjithë”, deklaroi Vance. Ai shtoi se dëshiron që kompanitë amerikane të punësojnë punëtorë amerikanë për të ndërtuar gjeneratën e ardhshme të produkteve amerikane dhe që fëmijët e tij të kenë mundësi të krijojnë familje e të përballojnë blerjen e një shtëpie.

Pas tij, në skenë u ngjit presidenti Donald Trump, i cili u prit me entuziazëm nga të pranishmit. Trump tha se ishte zgjedhur “për të shpëtuar Amerikën” dhe se kishte mbajtur çdo premtim të bërë.

“Mora orën më të errët të Amerikës dhe e shndërrova në një epokë të artë”, deklaroi ai, ndërsa paralajmëroi se një fitore e demokratëve do të sillte pasoja të rënda për vendin. Sipas Trump, demokratët do të “konfiskonin pasurinë, do të trefishonin taksat dhe do të dëmtonin të ardhmen e fëmijëve”.

Presdenti përsëriti gjithashtu premtimin për një “dividend” prej 5 mijë dollarësh për qytetarët dhe e cilësoi votimin në zgjedhjet e mesmandatit si vendimtar për të ardhmen e vendit.

Duke kërkuar mbështetje maksimale, Trump u bëri thirrje të pranishmëve të votojnë sikur emri i tij të ishte në fletën e votimit. Madje, ai i ftoi të përsërisnin një betim besnikërie për pjesëmarrje në votime, duke bërë edhe shaka me publikun: “A e dini çfarë ndodh nëse nuk votoni? Do të shkoni në ferr”.

Trump mbylli konventën e parë republikane të mesmandatit me premtimin për ta bërë “Amerikën përsëri të madhe”.

Konventa dy-ditore e Partisë Republikane në Dallas, erdhi më pak se dy muaj para se amerikanët të vendosin nëse partia do të mbajë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, apo do t'ua dorëzojë pushtetin demokratëve për dy vitet e fundit të mandatit të Trump. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos