Përmbyset autobusi turistik në Zvicër, raportohen viktima dhe të plagosur

Nga A2 CNN
11 Shtator 2026, 07:49 | Bota

Përmbyset autobusi turistik në Zvicër, raportohen viktima dhe

Një autobus turistik që udhëtonte nga Holanda drejt Austrisë është përfshirë në një aksident të rëndë rrugor në lindje të Zvicrës, në rajonin e Engadinës së Poshtme. Sipas policisë së kantonit Graubünden, në autobus ndodheshin 48 persona, ndërsa aksidenti ka shkaktuar disa viktima dhe të plagosur.

Ngjarja ndodhi në segmentin rrugor mes zonave Susch dhe Zernez. Autoritetet nuk kanë dhënë ende  detaje mbi shkaqet e aksidentit apo identitetin dhe numrin e saktë të viktimave.

Sipas mediave zvicerane, autobusi i përkiste kompanisë turistike holandeze Oad, e cila organizon udhëtime në mbarë Europën. Grupi i turistëve ishte nisur më 7 shtator dhe kishte si destinacion Austrinë, ndërsa ndalesa në kantonin Graubünden ishte planifikuar si pjesë e një ekskursioni ditor.

Fotot e publikuara nga media zvicerane Blick tregojnë autobusin me targa holandeze të përmbysur në një livadh pranë rrugës. Në vendngjarje janë angazhuar pesë helikopterë, zjarrfikës dhe ekipe të shumta të emergjencës për operacionin e shpëtimit.

Zona ku ndodhi aksidenti është izoluar për të lehtësuar ndërhyrjen e forcave të shpëtimit dhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos