31 fëmijë palestinezë nga zona e luftës nisen për në Itali, IDF miraton planin e pushtimit të Gazës

Nga A2 CNN
13 Gusht 2025, 21:37 | Bota

31 fëmijë palestinezë nga zona e luftës nisen për

Tre fluturime speciale të Forcave Ajrore Italiane që transportojnë një grup fëmijësh palestinezë të evakuuar nga Rripi i Gazës për t'u trajtuar me ndihmë mjekësore në Itali, janë nisur sot në mbrëmje nga Aeroporti i Eilatit në Izraelin jugor.

Vetë kryeministrja italiane Giorgia Meloni po ndjek operacionin që përfshin kthimin këtë mbrëmje të tre avionëve C-130 që transportojnë 31 pacientë të rinj dhe 86 shoqërues, me një total prej 117 personash.

Ky është operacioni më i madh i kryer deri më tani, i koordinuar nga zyra e kryeministres italiane, si pjesë e përpjekjeve humanitare të Italisë për të ndihmuar popullsinë civile të Gazës.

Avioni i parë do të mbërrijë sonte në Aeroportin Ciampino të Romës, ku grupi do të pritet nga ministri i Jashtëm Antonio Tajani. Dy avionët e tjerë do të mbërrijnë në Aeroportin Linate të Milanos dhe atë të Pizës dhe më pas pacientët do të dërgohen në mjediset më të përshtatshme të kujdesit shëndetësor në dispozicion.

Ky është evakuimi i 14-të mjekësor i kryer nga Italia që nga janari 2024. Operacioni është gjithashtu më i madhi deri më sot, me 31 pacientë dhe shoqëruesit e tyre. Pacientët e rinj vuajnë të gjithë nga sëmundje të rënda kongjenitale ose plagë dhe amputime të rëndësishme.

Me operacionin që përfundon sot, 580 persona do të kenë mbërritur në Itali përmes evakuimeve mjekësore, përfshirë 181 pacientë dhe 399 shoqërues.

31 fëmijë palestinezë nga zona e luftës nisen për

Ky operacion nga Italia vjen në një kohë kur nga Tel Avivi njoftojnë se shefi i Shtabit të IDF-së, gjenerallejtënant Eyal Zamir, ka miratuar skicën e përgjithshme të ofensivës së ardhshme ushtarake për të pushtuar qytetin e Gazës.

Vetë ushtria izraelite e deklaroi këtë, duke shpjeguar se "koncepti kryesor i planit ofensiv të IDF-së në Gaza" u diskutua gjatë një takimi që Zamir zhvilloi këtë mëngjes me Forumin e Shtabit të Përgjithshëm, së bashku me oficerë të tjerë dhe përfaqësues të Shin Bet.

Sakaq, kryeministri izraelit Netanjahu thotë se ndihet i përkushtuar ndaj një "misioni historik dhe shpirtëror" dhe është shumë i lidhur me vizionin e Izraelit të Madh, i cili përfshin territore të destinuara për një shtet të ardhshëm palestinez dhe, ndoshta, edhe zona që aktualisht i përkasin Jordanisë dhe Egjiptit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos