37 tërmete brenda disa orëve në Guatemalë shkaktojnë viktima, dëme, evakuime dhe rrëshqitje dheu

Nga A2 CNN
9 Korrik 2025, 20:30 | Bota

37 tërmete brenda disa orëve në Guatemalë shkaktojnë

Dhjetëra tërmete janë regjistruar gjatë orëve të fundit në Guatemalë, duke lënë dy persona të vdekur kur shkëmbinj ranë mbi automjetin e tyre, thanë autoritetet lokale.

Më shumë se 37 tërmete dhe pasgoditje me magnitudë që varionin nga 3.0 deri në 5.6 u raportuan në Guatemalë të martën pasdite, tha drejtori i Institutit Kombëtar për Sizmologji, Vullkanologji, Meteorologji dhe Hidrologji, Edëin Rodas.

Dridhjet rezultuan në evakuimin e ndërtesave, rrëshqitje të dheut dhe dëme të vogla materiale, thanë zyrtarët, duke shtuar se ato u ndjenë deri në El Salvador.

Dy burrat e vrarë po udhëtonin me një kamionçinë në një rrugë në departamentin e Escuintla-s kur gurët ranë nga një kodër mbi automjet, thanë zjarrfikësit.

37 tërmete brenda disa orëve në Guatemalë shkaktojnë

Presidenti i Guatemalës, Bernardo Arévalo, tha në një konferencë për shtyp se epiqendra kryesore e tërmeteve ishte në departamentin e Sacatepéquez, me lëkundje pasuese në rajonet e Escuintla dhe Guatemala.

Të paktën pesë persona u fundosën nga rrëshqitjet e dheut, por ekipet e emergjencës arritën të shpëtonin dy, shtoi ai.

Koordinatori Kombëtar për Reduktimin e Fatkeqësive shpalli alarmin portokalli, i dyti më i lartë në shkallën e emergjencës.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së raportoi një tërmet me magnitudë 4.8 ballë në orën 15:11 sipas kohës lokale, katër kilometra në jugperëndim të qytetit të Amatitlán, në jug të qytetit të Guatemalës, me një thellësi prej 10 kilometrash.

Më pas raportoi një tjetër tërmet me magnitudë 5.7 ballë tre kilometra në veriperëndim të San Vicente Pacaya, një komunë në Escuintla, në rajonin jug-qendror të vendit.

Një tjetër tërmet me magnitudë 4.8 u raportua gjashtë kilometra në veriperëndim të Palín, gjithashtu në Escuintla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos