Moska shënjestroi Ukrainën me një rekord prej 728 dronësh, vetëm disa orë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u zotua të dërgonte më shumë armë mbrojtëse në Kiev dhe drejtoi kritika jashtëzakonisht të ashpra ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin.
Sulmi ishte i fundit në një seri sulmesh ajrore në rritje në javët e fundit, që kanë përfshirë qindra dronë përveç raketave balistike, duke tendosur mbrojtjen ajrore ukrainase në një moment të rrezikshëm të luftës, tani në vitin e saj të katërt. Ushtria e Kievit rrëzoi pothuajse të gjitha dronët, por disa nga gjashtë raketat hipersonike të lëshuara nga Rusia kishin shkaktuar dëme të paspecifikuara, tha zëdhënësi i forcave ajrore Yurii Ihnat në televizionin ukrainas, shkruan A2.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy, i cili do të takohet me të dërguarin e SHBA-së, Keith Kellogg në Romë, tha se sulmi tregoi nevojën për "sanksione të ashpra" mbi burimet e të ardhurave që Rusia përdor për të financuar luftën, përfshirë ata që blejnë naftë ruse.
Rajonet në perëndim të Ukrainës, qindra kilometra nga vija e frontit, u vunë gjithashtu në shënjestër, sipas The Kyiv Independent. Duke cituar Forcat Ajrore të Ukrainës, ajo tha se dronët po lëviznin drejt qyteteve Lutsk, Khmelnytskyi dhe Ternopil.
Sakaq, alarmi i sulmeve është ndjerë edhe në Poloni. Sipas ushtrisë polake, një alarm u aktivizua nga avionë që i përkisnin Polonisë dhe aleatëve të saj. Kjo u bë për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore polake, sipas Komandës Operacionale të Forcave të Armatosura Polake.
Paralajmërime për sulme ajrore ishin lëshuar më parë në pjesë të mëdha të Ukrainës perëndimore, në kufi me Poloninë, për shkak të sulmeve ruse. (A2 Televizion)