Izraeli pranon të ndalë luftimet, me 4 orë çdo ditë në veriun e Gazës, për të lejuar evakuimin e popullsisë drejt jugut. Shtetet e Bashkuara, të cilat edhe përcollën zhvillimin pozitiv, duket se kanë pasur rol kyç në bindjen e kryeministrit Netanjahu për t’i dhënë mundësi frymëmarrje civilëve në enklavën e rrethuar. Dy korridore humanitare do të hapen për të lejuar largimin e qytetarëve.
Presidenti Biden e cilësoi këtë si një hap në drejtimin e duhur dhe shtoi do të vazhdojë të ushtrojë trysni për lejimin e më shumë ndihmave në territor.
“Para se pauzat të fillojnë, izraelitët, përmes mjeteve të ndryshme do të lajmërojnë civilët që jetojnë në Gaza duke i këshilluar edhe mbi kalimet e sigurta”, u shpreh John Kirby. Por disa thonë se pauzat nuk do të bëjnë një diferencë të madhe, teksa kryeministri Benjamin Netanjahu përsërit se nuk do të ketë armëpushim deri sa Hamasi të lirojë pengjet.
Më herët, ushtria e Tel Avivit sqaroi se bëhej fjalë për pauza lokale taktike për ndihmat humanitare në Gaza duke e bërë të qartë se nuk ka armëpushim. Mes kritikave që gjeneroi deklarata e tij, se Izraeli do të marrë kontrollin e sigurisë në Gaza, pas luftës, Netanjahu u kujdes të theksonte se vendi i tij nuk po përpiqet të pushtojë apo sundojë Rripin.
Luftime të ashpra po zhvillohen pranë dy spitaleve kryesore në qytetin e Gazës, teksa trupat izraelite po përleshen me militantët e Hamasit në thellësitë zonës. Autoritetet në Gaza thonë se disa spitale ishin bombarduar gjatë orëve të fundit, ndërsa konfirmojnë se të paktën 10.800 persona, përfshirë mbi 4400 fëmijë janë vrarë në enklavë që prej 7 tetorit.
Sakaq, Xhihadi Islamik, një tjetër grup që vepron në Gaza, publikoi një video të dy pengjeve izraelite, një grua e moshuar dhe një djalë, në të parat sinjale jete të personave të rrëmbyer. (A2 Televizion)