40 mijë palestinezë të vdekur, Izraeli bën thirrje për evakuim

Nga Anxhela Celibashi
15 Gusht 2024, 14:47 | Bota

Më shumë se 40 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi luftën e tij kundër Hamasit. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës.

Për mediat ndërkombëtare ky fakt shikohet si një tjetër moment i errët në konfliktin 10-mujor. Ministria po ashtu bëri me dije se 40 persona kishin vdekur në Gaza gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë më shumë se 92 mijë persona janë lënduar.

Autoritetet palestineze nuk bëjnë dallim mes luftëtarëve dhe civilëve, por është e qartë se shumica e të vdekurve janë civilë, duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë, citon CNN. Shifrat në rritje japin fakte për vuajtjet e përditshme, kequshqyerjen dhe paqëndrueshmërinë në Gaza pas 10 muajsh konflikti.

Nga ana e tyre, Forcat e Armatosura izraelite kanë urdhëruar civilët palestinezë të evakuojnë qytetin e Khan Younis, në Rripin jugor të Gazës, pas një sërë sulmesh me raketa nga ajo zonë. Urdhri i evakuimit, sipas Times of Israel, paralajmëron sulme ushtarake në disa lagje të Rripit të Gazës, aty ku edhe mendohet se ka akoma celula të Hamasit. 

Situatë e trazuar është edhe në Bregun Perëndimor. Izraeli ka publikuar planet për një nga vendbanimet e reja të propozuara në Bregun Perëndimor të pushtuar. Vendimin e ka bërë publik ministri i Financave, Bezalel Smotrich, duke rritur tensionet në momentin kur pritet të mbahen bisedimet e paqes në Katar.

Ministri i ekstremit të djathtë tha se masa ishte një përgjigje ndaj veprimeve të udhëheqjes palestineze të Bregut Perëndimor dhe vendeve që kanë njohur një shtet palestinez. "Asnjë vendim antiizraelit apo antisionist nuk do të ndalojë zhvillimin e vendbanimit. Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër idesë së rrezikshme të një shteti palestinez. Ky është misioni i jetës sime”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos