4.5 trilionë dollarë shkurtime taksash. Fitore për Trump, Dhoma e Përfaqësuesve miraton planin

Nga Rosalba Bejdo
26 Shkurt 2025, 14:32 | Bota

Presidenti amerikan Donald Trump siguroi një fitore të rëndësishme pasi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve miratuan me diferencë të ngushtë një plan për uljen e taksave dhe kufirin prej multi-trilion dollarësh.

Kjo i jep shtysë të madhe axhendës administrative të Trump për vitin 2025. Drita jeshile me 217 vota pro dhe 215 kundër, u konsiderua një test kyç fillestar për kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili anuloi një votim të mëhershëm për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme: “Kemi ende shumë punë përpara, por ne do të përmbushim agjendën Amerika e Para. Do ta çojmë përpara të gjithën, e jo vetëm pjesë të saj. Dhe ky është vetëm hapi i parë në këtë proces”. 

Një sërë republikanësh kërkonin më shumë disiplinë fiskale, nga një buxhet që përfshin 4,5 trilionë dollarë reduktime taksash, që financohet pjesërisht nga reduktimet në shpenzime, por edhe duke rritur potencialisht borxhin amerikan. Por, projektligji u votua sipas linjave partiake, me demokratët që e kundërshtuan dhe vetëm një republikan që nuk e mbështeti atë. Buxheti kërkon 2 trilionë dollarë reduktime të shpenzimeve përgjatë 10 viteve për të financuar agjendën e Trumpit.

Ai përfshin më shumë se 100 miliardë dollarë shpenzime të reja për emigracionin dhe ushtrinë. Megjithatë, nevojiten një sërë hapash të tjerë që duhet të ndërmerren para se plani i shpenzimeve të bëhet ligj. Edhe nëse të dyja dhomat e Kongresit dakordësohen, shumë detaje duhet ende të negociohen para se plani të shkojë për firmë në tryezën e Presidentit. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos