Të paktën 60 tërmete ose të njohura ndryshe si pasgoditje kanë goditur Japoninë gjatë ditës së hënës, pas lëkundjes së fuqishme prej 7.5 ballësh që zgjoi vendin në orët e para të mëngjesit.
Fatmirësisht, ndonëse kanë qenë më të lehtë se goditja e parë, tërmetet e tjera kanë shkaktuar panik te banorët që vijojnë të qëndrojnë larg banesave të tyre.
Autoritetet i frikësohen tsunamit dhe ende nuk e kanë hequr gjendjen e alarmit, duke iu kërkuar banorëve të tre provincave në zonat bregdetare që të qëndrojnë larg.
Deri në këto momente raportohet për të paktën 30 shtëpi të shembura, por jo për viktima, teksa mijëra të tjerë kanë mbetur pa energji elektrike.
Ekipet e ndihmës së shpejtë kanë marrë telefonata pa fund për njerëz të bllokuar dhe kanë shkuar në vendngjarje për t’iu ardhur në ndihmë.
Dëmet në infrastrukturë janë tepër të mëdha, ndërsa është vendosur dhe pezullimi i menjëhershëm i transportit hekurudhor.
(A2 Televizion)