80-vjetori i Ditës së Fitores, Putin: Rusia do të kujtojë gjithmonë kontributin e Aleatëve

Nga A2 CNN
9 Maj 2025, 10:56 | Bota

80-vjetori i Ditës së Fitores, Putin: Rusia do të kujtojë

Rusia përkujtoi sot 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore me një paradë madhështore ushtarake në Sheshin e Kuq, në prani të dhjetëra liderëve botërorë, përfshirë presidentin kinez Xi Jinping, shkruan A2 CNN. Presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim të fuqishëm ku theksoi rëndësinë e ruajtjes së të vërtetës historike dhe falënderoi aleatët për kontributin e tyre në fitoren ndaj Nazizmit.

“Ju uroj 80-vjetorin e Fitores në Luftën e Madhe Patriotike. Sot jemi të bashkuar nga ndjenja gëzimi dhe dhimbjeje, krenarie dhe mirënjohjeje, admirimi për brezin që mposhti nazizmin dhe solli lirinë e paqen në këmbim të miliona jetëve”, tha Putin.

Në fjalën e tij, ai theksoi se Rusia nuk do të lejojë shtrembërimin e historisë dhe përpjekjet për të rehabilituar figurat e errëta të luftës. “Ne kujtojmë mësimet e Luftës së Dytë Botërore dhe nuk do të pranojmë kurrë shtrembërimin e ngjarjeve të saj, përpjekjet për të justifikuar xhelatët dhe për të njollosur fitimtarët e vërtetë”, deklaroi ai.

Putin ritheksoi qëndrimin e Rusisë kundër nazizmit, rusofobisë dhe antisemitizmit, duke lidhur këtë qëndrim me mbështetjen për luftën aktuale në Ukrainë, të cilën e cilësoi si “Operacion Special Ushtarak”.

“Ne do të kujtojmë gjithmonë se hapja e frontit të dytë në Europë, pas betejave vendimtare në territorin e Bashkimit Sovjetik, e afroi Fitoren. Ne e vlerësojmë shumë kontributin në luftën tonë të përbashkët të ushtarëve të ushtrive aleate, luftëtarëve të Rezistencës, popullit trim të Kinës, të gjithë atyre që luftuan për një të ardhme paqësore”, u shpreh ai.

Ceremonia u përmbyll me një minutë heshtje në nderim të të rënëve dhe me thirrjen tradicionale të Putinit: “Lavdi popullit fitimtar! Gëzuar Ditën e Fitores! Urra!” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos