Zgjati 81 minuta spektakli në Shenxhen të Kinës, ku për hetë të parë në histori në një tryezë u ulën tre fuqitë më të mëdha të botës, dhe njerëzit që kanë gishtin në arsnenalet më të mëdha bërthamore…
Por përtej protokolleve në një rezidencë të izoluar shtetërore, buzqeshjeve dhe fjalëve miqësore, takimi nuk prodhoi ndonjë marrëveshjevje konkrete ndërsa u mbyll me një deklaratë të përbashkët, ku u riafimuar angazhimi se një luftë bërthamore nuk duhet të zhvillohet kurrë.
Një zotim i rëndësishëm në letër, por që vjen në një kohë kur rivalitetet mes fuqive të mëdha dhe konfliktet ndërkombëtare mbeten më të forta se kurrë.
Dokumenti parashikon gjithashtu reforma në Kombet e Bashkuara, rritjen e furnizimit me produkte të rafinuara të naftës dhe mbrojtjen e imunitetit të zyrtarëve shtetërorë përballë gjykatave ndërkombëtare.
Pikërisht kjo e fundit ngre pikëpyetje të forta, pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arresti ndaj Vladimir Putinit dhe zyrtarëve të tjerë rusë për krime të dyshuara të lidhura me luftën në Ukrainë. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore, me tre liderët që e cilësuan historik.
"Në këtë botë të ndërthurur, fuqitë e mëdha mbartin një përgjegjësi të veçantë. Ndërveprimet pozitive mes fuqive të mëdha nuk janë çështje zgjedhjeje, por një domosdoshmëri.
"Si presidentë të tre prej vendeve më të mëdha në botë, ne kemi një përgjegjësi të veçantë për të ruajtur një dialog të hapur, të respektueshëm dhe konstruktiv mbi çështje që ndikojnë jo vetëm te popujt tanë, por te e gjithë bota.Shumë shpesh, në të kaluarën, udhëheqësit kanë shmangur komunikimin me vendet me të cilat kanë pasur mosmarrëveshje. Ne kemi një qasje krejt të kundërt dhe jemi të bindur për këtë”, tha Trump.
“Do të dëshiroja shumë që takime të tilla të vijonin edhe në të ardhmen. Të paktën, në kuptimin që, përmes përafrimit të qëndrimeve mbi një sërë çështjesh kyçe, të arrihet jo domosdoshmërisht një marrëveshje formale, por, pa dyshim, një mirëkuptim i ndërsjellë.Takime të tilla nuk ishin zhvilluar më parë, por këtë herë ato u realizuan. Dhe kjo, pa asnjë dyshim, shënon një kapitull të ri në historinë e diplomacisë”, u shpreh Putin.
Më herët Trump zhvilloi një takim dy palësh me Putin, ku në një prej momenteve më të komentuara e quajti shefin e Kremlinit, miku im.
Ai u takua vecmas edhe me Xi, duke e përshkruar raportin e tyre si shumë të vecantë. Por pas buzëqeshjeve dhe deklaratave për paqe, dallimet mbeten të thella, veçanërisht për Ukrainën, Iranin, armët bërthamore dhe tregtinë ndërkombëtare.
Putini e cilësoi Ukrainën si një prej konflikteve ku tre vendet kanë interesa të përbashkëta për zgjidhje, ndërsa Xi Jinping shmangu një qëndrim të drejtpërdrejtë për luftën, duke përcjellë mesazhin se kur fuqitë e mëdha bashkëjetojnë në harmoni, bota është në paqe, ndërsa përplasja mes tyre sjell kaos. (A2 Televizion)