
Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të bombardimeve ndaj Iranit, në bashkëpunim me Izraelin, pas presionit të shtuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe vizitës në Uashington të drejtorit të Mossadit, Roman Goffman.
Sipas raportimeve të The New York Times dhe Axios, në administratën amerikane po shqyrtohet mundësia e një fushate të përbashkët ushtarake që mund të zgjasë nga katër deri në shtatë ditë, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen.
Deri pak javë më parë, Trump kishte dhënë sinjale se nuk ishte në favor të rifillimit të luftimeve, duke e cilësuar konfliktin me Iranin si “praktikisht të përfunduar” dhe duke deklaruar se SHBA-ja kishte arritur një fitore të madhe. Ai gjithashtu kishte urdhëruar zëvendëspresidentin JD Vance të ndërpriste negociatat me Teheranin për programin bërthamor.
Megjithatë, raportimet e fundit sugjerojnë se qëndrimi i Uashingtonit mund të ndryshojë pas informacioneve të reja të inteligjencës amerikane mbi rindërtimin e kapaciteteve raketore të Iranit.
Vizita e Roman Goffmanit në Uashington ka tërhequr vëmendje të veçantë, pasi drejtori i Mossadit raportohet se ka ushtruar presion për rifillimin e operacioneve ushtarake. Izraeli ka paralajmëruar gjithashtu Shtëpinë e Bardhë për zhvillimet e pretenduara në programet iraniane të armëve kimike dhe biologjike.
Në kuadër të përgatitjeve për një përshkallëzim të mundshëm, SHBA-ja ka shtuar praninë e saj ushtarake në rajon, me dy aeroplanmbajtëse dhe një anije sulmuese amfibe që po lëvizin drejt zonës së operacioneve. Ndërkohë, një pjesë e personelit jo të domosdoshëm amerikan është evakuuar nga rajoni dhe një tjetër bateri e sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot është dërguar në Izrael.
Paralelisht me zhvillimet ushtarake, Netanyahu po përballet edhe me vështirësi politike në vendin e tij. Pas humbjes së shumicës qeverisëse, kryeministri izraelit u ka bërë thirrje partive opozitare për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, duke argumentuar se kërcënimi iranian kërkon një front të përbashkët politik.
(A2 Televizion)