Më shumë se 90 kamionë me ndihma humanitare nga Kombet e Bashkuara kanë mbërritur brenda Rripit të Gazës, tre ditë pas lehtësimit të një bllokade 11-javore nga Izraeli.
Ndihmat, që përfshijnë miell, ushqim për foshnja dhe pajisje mjekësore, u morën nga pika kufitare Kerem Shalom dhe u transportuan në depo për shpërndarje.
OKB tha se vonesat në shpërndarje ishin shkaktuar nga mungesa e sigurisë përgjatë korridorit të vetëm të aksesit që ishte miratuar nga ushtria izraelite.
Autoritetet izraelite deklaruan se lejuan kalimin e edhe 100 kamionëve të tjerë përmes Kerem Shalom. Megjithatë, OKB e cilësoi këtë sasi si “larg së qëni e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e mëdha në Gaza”.
Organizatat humanitare kanë paralajmëruar për nivele të rënda urie mes 2.1 milionë banorëve, përballë mungesës së ushqimeve bazë dhe rritjes së çmimeve në mënyrë të papërballueshme.
Ministri i Shëndetësisë i Autoritetit Palestinez, Majed Abu Ramadan, që ndodhet në Bregun Perëndimor, deklaroi për gazetarët në Gjenevë se 29 fëmijë dhe të moshuar kanë ndërruar jetë nga “shkaqe të lidhura me urinë” në ditët e fundit. (A2 Televizion)