A do mbijetojë Ukraina? Zelenski pranon të takohet me Trump

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2025, 22:22 | Bota

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ka marrë një draft të një plani amerikan për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe pret të zhvillojë bisedime me Presidentin amerikan Donald Trump në ditët në vijim.

Dy burime i thanë Reuters se Uashingtoni i kishte sinjalizuar Zelenskiy se Kievi duhet të pranojë kuadrin e hartuar nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës gati katërvjeçare, e cila përfshin lëshime territoriale dhe kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës. Vendet evropiane po kundërshtojnë planin, i cili sipas burimeve do të kërkonte që Kievi të hiqte dorë nga më shumë tokë dhe të çarmatosej pjesërisht, kushte që prej kohësh janë parë nga aleatët e Ukrainës si të barabarta me kapitullimin.

Zyra e Zelenskiy nuk komentoi drejtpërdrejt mbi përmbajtjen e planit, i cili nuk është publikuar, por tha se udhëheqësi ukrainas kishte "përcaktuar parimet themelore që kanë rëndësi për popullin tonë". "Ne jemi gati tani, si më parë, të punojmë në mënyrë konstruktive me palën amerikane, si dhe me partnerët tanë në Evropë dhe në mbarë botën, në mënyrë që rezultati të jetë paqja", tha ajo në një deklaratë. "Në ditët në vijim, Presidenti i Ukrainës pret të diskutojë me Presidentin Trump mundësitë ekzistuese diplomatike dhe pikat kryesore të nevojshme për të arritur paqen".

Propozimi SHBA-Rusi është "absurd" dhe i papranueshëm, thanë zyrtarë të lartë të Kievit, duke shtuar se plani, i hartuar gjoja nga Dmitriev, një aleat i ngushtë i Putinit, dhe i dërguari special i Trump, Witkoff, është një "provokim" për të "çorientuar" aleatët e Ukrainës.

Raporton The Guardian. "Nuk ka shenja se Kremlini është gati për negociata serioze. Putini dëshiron të blejë kohë për të shmangur sanksionet e SHBA-së", tha Oleksandr Merezhko, kryetar i komitetit parlamentar të politikës së jashtme. Zëvendësministri i Jashtëm Sergiy Kyslytsya e quajti iniciativën jorealiste.

"Konsultimet nuk janë duke u zhvilluar aktualisht. Sigurisht, ka kontakte, por nuk ka asnjë proces që mund të quhet konsultime", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai tha se Rusia nuk kishte asgjë për të shtuar përtej qëndrimit që Presidenti Vladimir Putin paraqiti në një samit me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në gusht, duke shtuar se çdo marrëveshje paqeje duhet të adresojë "shkaqet rrënjësore të konfliktit", një frazë që Moska e ka përdorur prej kohësh për t'iu referuar kërkesave të saj.

Këtë herë, plani i paqes i Trump për Ukrainën, i zbuluar përmban 28 pika në vend të 20, dhe mosmarrëveshjet tashmë po shfaqen, veçanërisht mbi kërkesën e Zelensky-t për të lëshuar të gjithë Donbasin. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, shpreson të rifillojë negociatat mbi këtë bazë, të cilat i dërguari i tij Steve Ëitkoff i diskutoi fshehurazi në Miami midis 22 dhe 24 tetorit me përfaqësuesin rus Kirill Dmitriev. 

Shtyllat e Planit të SHBA-së

Sipas Axios, plani u shkrua me ndihmën e Turqisë dhe Katarit dhe përmban 28 pika, të ndara në katër paketa: paqja në Ukrainë, garancitë e sigurisë, stabiliteti në Evropë dhe marrëdhëniet e ardhshme midis Uashingtonit, Moskës dhe Kievit. Pika e parë ka të bëjë me metodat për përfundimin e luftimeve, të cilat do të përfshinin kontrollin rus të rajoneve Lugansk dhe Donetsk, që do të thotë të gjithë Donbasin, pavarësisht se ukrainasit ende mbajnë 12% të kësaj zone. Në Kherson dhe Zaporizhzhia, fronti do të ngrihej përgjatë vijës aktuale, me disa lëshime nga Moska. Është e paqartë nëse ndryshimi i kufirit do të ishte përfundimtar dhe i njohur zyrtarisht, apo thjesht i pranuar de facto, si midis dy Koreve ose vendeve Baltike gjatë Luftës së Ftohtë.

Pika e dytë ka të bëjë me forcën e mundshme paqeruajtëse të thirrur për të siguruar respektimin e armëpushimit, por edhe me zvogëlimin e forcave të armatosura ukrainase, të cilat sipas burimeve të tjera do të përgjysmoheshin.

Pika e tretë ka të bëjë me pranimin e Kievit në Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh se anëtarësimi në NATO përjashtohet, por edhe me sigurimet që i duhen Evropës për të parandaluar Kremlinin nga nisja e sulmeve të mëtejshme në të ardhmen.

I katërti përqendrohet në marrëdhëniet e ardhshme politike midis protagonistëve të krizës: do të përfshinte njohjen e Donbasit dhe Krimesë nga SHBA-ja (të aneksuara në mënyrë të njëanshme në vitin 2014). Do të përfshinte gjithashtu bashkëpunim ekonomik, për shembull, në shfrytëzimin e energjisë dhe burimeve natyrore.

Ky është ndoshta objektivi kryesor praktik i Trump, por sipas tij do të shërbente gjithashtu për të siguruar stabilitetin përmes interesave konkrete të palëve. Dmitriev i konfirmoi Axios se plani ekziston dhe është premtues sepse, ndryshe nga ato evropiane, "ai merr parasysh qëndrimet ruse". Rreziku është se kjo mund të nënkuptojë kapitullimin e Ukrainës, duke filluar me Krimenë. Nëse arrihet një marrëveshje mbi tekstin, udhëheqësit mund të takohen në Budapest për ta nënshkruar atë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos