Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon se zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga detyra, por do të marrë një pozicion tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohe.
Reagimi i DASH vjen pas publikimit të një lajmi, i cili pretendon se i dërguari amerikan për Ballkanin, Escobar është shkarkuar nga pozita për shkak të konfliktit të interesit që komprometon pozitën e tij si ndërmjetës neutral në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Në deklaratën për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i DASH, i hedh poshtë pretendimet si pretendime të rreme dhe lehtësisht të verifikueshme.
“Përkundër pretendimeve, bashkëshortja e zotit Escobar kurrë nuk ka marrë fonde nga Ministria e Jashtme e Serbisë dhe zoti ai nuk ka asnjë lidhje familjare me të ashtuquajturin partner të zyrës së avokatisë në Texas, McGinnis Lochridge LLP. Është e papërgjegjshme të botohen gënjeshtra të tilla. Nxisim gazetarët të verifikojnë faktet para se të përhapin thashetheme ofenduese dhe të pabaza” thuhet në deklaratën e DASH. (A2 Televizion)