Raporti i përgatitur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara e cila e kategorizon gjenocid krimet e kryera nga IDF në Gaza, është pritur me reagime të ndryshme nga banorët e Izraelit dhe Palestinës. Banorët izraelitë hodhën poshtë përfundimin e komisionit hetimor të Kombeve të Bashkuara.
"Mendoj se fjala gjenocid është një fjalë shumë e rëndësishme. E kemi parë të përdoret ndaj hebrenjve gjatë Holokaustit për atë që ndodhi atje. Mendoj se ta thuash këtë për atë që po ndodh në Gaza është krejtësisht një shprehje e gabuar, sepse ajo që po ndodh aktualisht në Gaza nuk është gjenocid. Askush nuk po përpiqet të heqë qafe palestinezët, ne në fakt po përpiqemi të heqim qafe Hamasin, i cili vetëm sa po u bën më keq palestinezëve", tha banorja izraelite Meytav Levy.
Ministria e Jashtme e Izraelit e kritikoi ashpër raportin, duke u përgjigjur se ai mbështetej "tërësisht në gënjeshtrat e demaskuara të Hamasit, të shpëlara dhe të përsëritura nga të tjerët. Në kontrast të plotë me gënjeshtrat në raport, Hamasi u përpoq të kryente gjenocid në Izrael, duke vrarë 1,200 njerëz, duke përdhunuar gra dhe duke djegur familje të gjalla".
Analiza ligjore prej 72 faqesh citon shembuj të shkallës së vrasjeve, bllokimeve të ndihmës, zhvendosjes së detyruar dhe shkatërrimit të një klinike fertiliteti për të mbështetur gjetjet e saj për gjenocid, duke u bashkuar me zërin e saj grupeve të të drejtave të njeriut dhe të tjerëve që kanë arritur në të njëjtin përfundim.
Nga ana e tyre, palestinezët e zhvendosur në Gazën qendrore thanë se hetimi i Kombeve të Bashkuara që zbuloi se Izraeli kreu gjenocid në enklavën palestineze erdhi shumë vonë.
"Kombet e Bashkuara duhet të qëndrojnë në anën tonë dhe pranë kauzës sonë, dhe të përpiqen ta ndalojnë luftën në Rripin e Gazës me të gjitha mjetet dhe sa më shpejt të jetë e mundur. U kërkojmë të gjithë vëllezërve në bashkësinë ndërkombëtare të qëndrojnë pranë popullit palestinez në Rripin e Gazës, të ndalojnë luftën në Rripin e Gazës menjëherë, pa asnjë kusht”, tha Fadel Al-Dibs, palestinez i zhvendosur.
"Mendoj se bota ka standarde të dyfishta dhe demokracia amerikane dhe evropiane ka rënë në baltën e Gazës. A është tani e qartë për botën se Izraeli po kryen një gjenocid kundër banorëve të Gazës? Mendoj se kjo është një farsë e vërtetë sepse kemi vdekur për dy vjet, gjaku ynë po derdhet në rrugë, familjet tona janë në rrugë, gratë dhe fëmijët tanë janë në rrugë, po zhvendosemi një mijë herë në vend të një herë dhe ende po zhvendosemi dhe askush nuk u interesua. A na panë ata vetëm sot?”, tha Mohammet Al-Ashkar, palestinez i zhvendosur.
Ambasadori i Izraelit në OKB në Gjenevë, Daniel Meron, e quajti raportin "skandaloz" dhe "të rremë", duke thënë se ai ishte hartuar nga "të dërguar të Hamasit". Izraeli akuzon komisionin se ka një agjendë politike kundër Izraelit dhe se ka devijuar nga mandati i tij, dhe refuzoi të bashkëpunojë me të. (A2 Televizion)