OKB “nxin” Izraelin: Ka kryer gjenocid në Gaza! Tel Avivi: Raporti është shpifje

Nga A2 CNN
16 Shtator 2025, 22:26 | Bota

Izraeli ka kryer gjenocid kundër Palestinezëve në Gaza. Këtë e ka konfirmuar një komision hetimor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Një raport i ri thotë se ka baza të arsyeshme për të arritur në përfundimin se katër nga pesë aktet gjenocidale të përcaktuara sipas ligjit ndërkombëtar janë kryer që nga fillimi i luftës me Hamasin në vitin 2023: vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi i dëmtimeve të rënda trupore dhe mendore, shkaktimi i qëllimshëm i kushteve të llogaritura për të shkatërruar grupin etnik dhe parandalimi i lindjeve.

Komisioni hetimor citon deklaratat e udhëheqësve izraelitë dhe modelin e sjelljes së forcave izraelite, si provë të qëllimit gjenocidal. Analiza ligjore prej 72 faqesh citon shembuj të përmasave të vrasjeve, bllokadave dhe shpërnguljeve të detyruara e po ashtu shkatërrimin e një klinike të fertilitetit për të mbështetur pretendimet për gjenocid.

Gjenocidi po ndodh në Gaza. Ne nuk kemi shkuar ende në Palestinë. Do të shkojmë, sepse ky është një komision i përhershëm. Dhe ne identifikuam tre individët që i vlerësojmë si përgjegjës. Njëri është kryeministri Benjamin Netanyahu, tjetri presidenti Isaac Herzog dhe i treti është ish-ministri Yoav Gallant. Më 7 tetor 2023, menjëherë pas sulmit të Hamasit, në një konferencë për shtyp, Kryeministri Netanyahu u zotua të ushtronte, më lejoni ta citoj, 'hakmarrje të fuqishme' mbi  'të gjitha vendet ku është vendosur, fshehur dhe vepron Hamasi,; ne do t'i kthejmë ato në rrënoja'. Pra, jo vetëm hakmarrje kundër Hamasit, por edhe paralajmërim për te shndërruar qytete e vende ne rrënoja. Përdorimi i frazës qytet i lig nënkuptonte se ai e shihte të gjithë qytetin e Gazës si përgjegjës dhe një objektiv për hakmarrje. Ai u tha palestinezëve në Gaza të largoheshin tani sepse ne do te vepronin me forcë kudo, duke mos bërë dallim midis luftëtarëve dhe civilëve, dhe duke ditur se palestinezët në Gaza nuk kishin ku të shkonin. Pra, ky është Netanyahu”, tha kryetarja e komisionit hetimor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Navy Pillay.

Ambasadori izraelit në OKB kundërshton gjetjet e komisionit për Gazën duk i cilësuar "shpifje".

Izraeli e hedh poshtë kategorikisht shpifjen e publikuar nga ky komision hetimor. Ai përhap narrativë keqdashëse, keqdashëse të gjenocidit. Raporti devijon nga mandati i komisionit, duke theksuar edhe një herë analizën e tyre të njëanshme. Ju kërkoj ta lexoni me kujdes këtë raport prej 72 faqesh dhe të përpiqeni të gjeni fjalën Hamas. Hamasi nuk ekziston. Është ndonjë i huaj që sulmoi Izraelin më 7 tetor. Këto pretendime në raport mbështeten në statistika mashtruese, parashikime apokaliptike të pabazuara, të mbështetura në të dhëna të dobëta, në bashkimin e provave të pa verifikuara”, tha ambasadori i Izraelit në OKB, Daniel Merona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos