Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë nuk pritet të ndryshojë shumë në raport me Kosovën, vetëm se nuk mund të jetë shumë i duruar në lidhje me normalizimin e raporteve me Serbinë.
Analistët në Prishtinë thonë se administrata e Trump mund të përshpejtojë procesin e dialogut që nisi për më shumë se një dekadë mes Kosovës dhe Serbisë duke mos i toleruar palët që të bëjnë lojëra fjalësh në vend të zbatimit të ujdive të dakorduara.
“Do të shohim dinamikë të re për mbyllje të shpejtë të konflikteve e që në mënyrë simetrike mund të përfshihet edhe konflikti i Kosovës me Serbinë për një zgjidhje më të shpejtë për t’i dhënë fund status quo-s që e ka karakterizuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi për më shumë se 13 vjet tashmë”, tha Arben Fetoshi profesor.
“Në vija të trasha politika amerikane nuk do të ndryshojë, as në raport me Kosovën, as me Ballkanin Perëndimor, por në disa segmente siç është dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë ndryshime qoftë në dinamikë, qoftë edhe në planin për realizimin e tij”, tha Arbënor Sadiku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Njohësit thonë se në tavolinë mund të rikthehet edhe ideja e shkëmbimit të territoreve që dikur administrata e Trump i e pati mbështetur me kushtin që ajo të ishte edhe kërkesë e Kosovës dhe e Serbisë.
“Në qoftë se dështon kursi aktual i përpjekjeve të Bashkimit Europian si ndërmjetës për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi atëherë mendoj se mund të vijnë në shprehje edhe opsione të tjera të cilat normalisht kanë qenë shqetësuese në opinonin publik në Kosovë”, u shpreh Fetoshi për A2 CNN.
Megjithatë, ashtu sikurse edhe herës së kaluar, kancelaritë europiane dhe vet Bashkimi Europian mund të parandalojnë që tema e shkëmbimit të territoreve të rikthehet si çështje serioze diskutimi.
“Vetë ish-këshilltarët e Trump, si Boloton kanë theksuar se ardhja e Trump në presidencën amerikane mund ta rikthejë edhe një herë planin për korrigjimin e kufijve, nuk e di sa mund të realizohet pasi ka kaluar kohë e gjatë dhe ne kemi marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit dhe sa do të ketë pajtueshmëri të palës evropiane për ndryshimin e këtij plani”, u shpreh Arbënor Sadiku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kryeministri Albin Kurti ka qenë kundër shkëmbimit të territoreve, ndërsa po pritet me kuriozitet edhe pozita që do të mbajë ish-emisari Richard Grenell, i cili në vitet e fundit është shndërruar në kritikun me të madh të Qeverisë së Kosovës. (A2 Televizion)