
Polarizimi i thellë politik, mungesa e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës dhe mbikëqyrja e dobët parlamentare ndaj ekzekutivit vijojnë të sfidojnë funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Këto janë disa nga shqetësimet e evidentuara në raportin e Komisionit Europian, ku theksohet edhe nevoja urgjente për reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, konsultime publike kuptimplota dhe zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Raporti prej 116 faqesh për Shqipërinë ndalet edhe te protestat e nisura në Tiranë në maj 2026, të cilat përshkruhen si mobilizimi më i madh qytetar që nga tranzicioni demokratik, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e tyre.
“Protestat nisën për shkak të shqetësimeve mjedisore lidhur me punimet në peizazhin e mbrojtur të Pishë-Poros dhe Nartës, por më pas u zgjeruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe opozitës kryesore. Qytetarët kërkuan transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë”, thuhet në raport.
Komisioni Europian evidenton gjithashtu protestat e studentëve në tetor, gjatë të cilave pati përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, dëmtim të pronës publike e private, si dhe akuza për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Raporti nënvizon se deri më tani nuk ka pasur dialog dhe u bën thirrje të gjitha palëve të angazhohen në mënyrë serioze në një proces konstruktiv.
Parlamenti dhe kontrolli ndaj qeverisë
Në kapitullin për Parlamentin, raporti thekson se polarizimi politik, përplasjet verbale dhe mungesa e dialogut kanë vijuar të ndikojnë në punën e Kuvendit. Gjashtë deputetë të opozitës u pezulluan pas kërkesës së mazhorancës, për shkak të incidenteve të pretenduara të dhunës, por masat disiplinore u anuluan më pas nga gjykata administrative.
Sipas raportit, mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit mbetet e dobët. Paraqitja e anëtarëve të Këshillit të Ministrave për seancat e pyetjeve ka qenë e parregullt, ndërsa kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore janë refuzuar sistematikisht pa debat. Shqetësim ngre edhe votimi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Komisioni Europian vëren gjithashtu se emërimet në institucionet e pavarura vijojnë të karakterizohen nga politizimi. Avokati i Popullit dhe Komisioneri i ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi u zgjodhën vetëm me votat e mazhorancës, duke shmangur traditën e konsensusit mes palëve.
Raporti evidenton edhe përfundimin pa konsensus ndërpartiak të punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në korrik 2026. Reforma u miratua në tetor, mbi bazën e propozimit të mazhorancës.
Raporti nënvizon se gratë vijojnë të jenë të nënpërfaqësuara në Kuvend, ku zënë 48 nga 140 vendet. (A2 Televizion)