Një lumë reagimesh ka ardhur nga mbarë bota për valën e madhe blu që pushtoi Kongresin Amerikan. Irani e ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara si një mesazh të qartë, ndërsa kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, tha se amerikanët kanë thënë “jo luftës” dhe se Teherani e mbështet këtë qëndrim. Qalibaf paralajmëroi Uashingtonin se nëse qeveria amerikane do të shpërfillë vullnetin e qytetarëve për interesat e fuqive të tjera, përgjigjja e Iranit do të jetë edhe më e ashpër.
Edhe kreu i Drejtësisë iraniane, deklaroi se Donald Trump ka dështuar si në planin ushtarak, ashtu edhe në atë politik, duke paralajmëruar “humbje të reja” për presidentin amerikan. Kina nuk shprehu asnjë emocion por shprehu gatishmëri për të punuar me SHBA-të.
“Kina është e gatshme të vazhdojë të punojë me Shtetet e Bashkuara për të ruajtur dhe zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shteteve, për të forcuar komunikimin, për të menaxhuar siç duhet dallimet, për të zgjeruar bashkëpunimin dhe për të ndërtuar një marrëdhënie konstruktive dhe strategjikisht të qëndrueshme Kinë-SHBA bazuar në respekt të ndërsjellë, drejtësi dhe barazi”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme.
Moska, ndërkohë, tha se politika e jashtme ruse nuk varet nga luhatjet politike në vende të tjera, ndërsa zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov nënvizoi se qëndrimi i demokratëve ndaj Rusisë mbetet jashtëzakonisht negativ.
Në Spanjë, kryeministri Pedro Sánchez e përshëndeti rezultatin si një “cunam demokratik”, duke deklaruar se amerikanët kanë votuar kundër urrejtjes, privilegjeve të elitave dhe mohimit të ndryshimeve klimatike. Qeveria gjermane përgëzoi demokratët amerikanë për një “fitore historike” në Kongres, ndërsa vuri në dukje se administrata amerikane do të mbetet e njëjtë dhe Berlini do të vazhdojë të bashkëpunojë me besim me të. Thuajse në të njëjtën gjuhë edhe Franca, me ministrin e Financave që theksoi se Trump vazhdon të ketë kontrollin e politikës së jashtme amerikane. Ndërsa kryeministrja italiane Giorgia Meloni shmangu komentet për zgjedhjet amerikane.
(A2 Televizion)