
Marta Kos, Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, ka vlerësuar angazhimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, por ka theksuar se vendi duhet të ruajë fokusin te reformat kyçe, veçanërisht te shteti i së drejtës, pavarësia e drejtësisë dhe liria e medias.
Gjatë fjalës në Parlamentin Evropian, ku prezantoi paketën e zgjerimit të BE-së, Kos bëri të ditur se Shqipëria ka mbyllur tashmë katër kapituj negociues dhe synon të mbyllë edhe kapituj të tjerë, me objektivin për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.
Komisionerja evropiane vuri në dukje se përfshirja e të gjithë shoqërisë është thelbësore për suksesin e procesit të integrimit, ndërsa theksoi se zgjerimi i BE-së synon të sjellë më shumë paqe, siguri dhe prosperitet në Union, shkruan A2.
Marta Kos nënvizoi se sfidat që lidhen me reformat duhet të adresohen për të ecur drejt objektivit të anëtarësimit.
(A2 Televizion)