A pati rrjedhje radioaktive? Amerikë-Izrael sulmojnë Natanz-in bërthamor të Iranit

Nga Xhevahir Qardaku
21 Mars 2026, 14:46 | Bota

A pati rrjedhje radioaktive? Amerikë-Izrael sulmojnë Natanz-in

Lufta në Lindjen e Mesme bëhet “bërthamore”. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë goditur objektin e pasurimit nuklear të Iranit në Natanz. Këtë e konfirmoi Organizata e Energjisë Atomike e Republikës Islamike.

“Pas sulmeve kriminale të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe regjimi uzurpues sionist kundër vendit tonë, kompleksi i pasurimit të Natanz u vu në shënjestër këtë mëngjes”, tha organizata në një deklaratë të transmetuar nga agjencia e lajmeve Tasnim, duke shtuar se “nuk është raportuar asnjë rrjedhje e materialit radioaktiv” në rajonin qendror të Iranit, shkruan A2CNN.

Natanz, vendi kryesor i pasurimit të uraniumit në Iran, u godit edhe në javën e parë të luftës dhe vitin e kaluar në qershor. Më herët, Irani shokoi botën… duke sulmuar bazën anglo-amerikane në 4 mijë kilometra distancë. Teherani konfirmon se ka lëshuar dy raketa balistike kundër ishullit Diego Garcia në Oqeanin Indian.

Kështu raportojnë mediat iraniane. “Ky lëshim përfaqëson një hap të rëndësishëm në përballjen e tij me Shtetet e Bashkuara”, thekson agjencia Mehr. Shënjestrimi i ishullit nga Irani sugjeron se raketat e tij kanë një rreze veprimi më të gjatë se sa ishte vlerësuar më parë. Muajin e kaluar, Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi pretendoi se Teherani e kishte kufizuar qëllimisht rrezen e veprimit të raketave të tij në 2 mijë kilometra.

Kjo vjen në një kohë kur, Presidenti amerikan, Donald Trump, njofton se SHBA-të po shqyrtojnë mundësinë e “qetësimit” të operacioneve kundër Iranit. Por kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkon që vendet e tjera të ruajnë Ngushticën e Hormuzit, korridorin jetësor për transportin detar të naftës.

Ministri i Jashtëm i Iranit reagon menjëherë duke nënvizuar se për ta “nuk duket se SHBA-të janë të përgatitura të ndalojnë agresionin e tyre”. Zyrtarët në Uashington thanë se mijëra trupa të tjera amerikane po shkojnë drejt Iranit. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara hoqën sanksionet mbi 140 milionë fuçi naftë iraniane, ndërsa administrata Trump kërkoi të ulte çmimet në sektorin e energjisë dhe karburantit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos