
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ngritur padi ndaj katër shteteve me prirje demokrate, pasi ato refuzuan të lëshojnë targa konfidenciale për automjetet që përdoren nga agjentët federalë të emigracionit.
Sipas Al Jazeera, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi padinë në faqen zyrtare, duke akuzuar shtetet Maine, Massachusetts, Oregon dhe Uashington për moszbatim të kërkesave të qeverisë federale.
Administrata Trump argumenton se targat e fshehta janë të nevojshme për sigurinë dhe efektivitetin operacional të agjentëve të Imigracionit dhe Doganave (ICE), të cilët, sipas autoriteteve, janë përballur me kërcënime dhe ngacmime të vazhdueshme.
Nga ana tjetër, zyrtarët e shteteve të paditura kundërshtojnë përdorimin e targave sekrete, duke argumentuar se agjentët e ICE-së nuk duhet të operojnë pa transparencë dhe mbikëqyrje të duhur, shkruan A2CNN.
Përplasja vjen në një kohë kur administrata Trump po zbaton një fushatë të gjerë deportimesh, e kritikuar nga organizatat për të drejtat e njeriut për përdorim të tepruar force, arrestime të paligjshme dhe shkelje të procedurave ligjore.
(A2 Televizion)