Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë ankorohet në Kroaci për riparime

Nga A2 CNN
28 Mars 2026, 12:31 | Bota

Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë ankorohet në

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Gerald R. Ford, e cila ishte dislokuar në operacionet SHBA-Izrael kundër Iranit, u ankorua të shtunën në portin adriatik të Splitit në Kroaci për riparime dhe mirëmbajtje, përcjell A2CNN.

Ford, anija më e re e SHBA-së dhe aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, po operonte në Detin e Kuq në mbështetje të operacionit “Epic Fury” kur më 12 mars shpërtheu një zjarr jo-luftarak në lavanderinë kryesore, duke plagosur tre marinarë.

Rreth 200 marinarë të tjerë u trajtuan për probleme të lidhura me tymin, ndërsa për zjarrin u deshën orë të tëra për ta vënë nën kontroll.

Anija luftarake ka qenë e dislokuar për nëntë muaj dhe ka marrë pjesë gjithashtu në operacione kundër Venezuelës në Karaibe përpara se të mbërrinte në Lindjen e Mesme.

Gjatë këtij dislokimi, ajo është përballur edhe me probleme të vazhdueshme në sistemin e ujërave të zeza, që kanë ndikuar në rreth 650 tualete.

Ford kishte bërë një ndalesë të përkohshme në Souda Bay, në ishullin grek të Kretës. Qeveria e Kroacisë, aleate e NATO-s me SHBA-në, miratoi mbërritjen e saj më herët gjatë javës.

“Gjatë vizitës së saj, USS Gerald R. Ford do të presë zyrtarë vendas dhe liderë kyç për të riafirmuar aleancën e fortë dhe të qëndrueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kroacisë,” thuhet në një deklaratë të ambasadës amerikane në Kroaci.

Aeroplanmbajtësja, me mbi 5,000 marinarë në bord, mban më shumë se 75 avionë ushtarakë, përfshirë avionë luftarakë si F-18 Super Hornet, dhe është e pajisur me një sistem të avancuar radar për kontrollin e trafikut ajror dhe navigimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos