
Rusia ka dëbuar një diplomat britanik, duke e akuzuar për përfshirje në aktivitete spiunazhi që, sipas autoriteteve, rrezikonin sigurinë kombëtare.
Sipas mediave dhe njoftimit të FSB, bëhet fjalë për sekretarin e dytë të ambasadës britanike, Albertus Gerhardus Janse van Rensburg, i cili dyshohet se ka qenë i angazhuar në mbledhjen e informacioneve të ndjeshme, veçanërisht për ekonominë ruse, gjatë takimeve joformale.
Autoritetet ruse pretendojnë se aktivitetet e tij lidhen me operacione inteligjence dhe përpjekje për destabilizim, akuza që pritet të tensionojnë më tej marrëdhëniet me Britaninë e Madhe.
Raportet mes dy vendeve kanë qenë prej kohësh të acaruara, sidomos pas nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022, ndërsa dëbimet reciproke të diplomatëve janë kthyer në një praktikë të shpeshtë.
Vetëm pak javë më parë, Zyra e Jashtme britanike njoftoi revokimin e akreditimit për një diplomat rus, si kundërpërgjigje ndaj një vendimi të ngjashëm të marrë nga Moska në janar. (A2 Televizion)