Alarm në ngushticën e Hormuzit: Sulmohet cisterna e Katarit, rriten tensionet me Iranin

Nga A2 CNN
7 Korrik 2026, 19:38 | Bota

Alarm në ngushticën e Hormuzit: Sulmohet cisterna e Katarit, rriten

Një incident i ri ka rritur tensionet në Lindjen e Mesme, pasi Katari ka akuzuar Iranin për sulmin ndaj një cisternë të madhe të gazit të lëngshëm natyror (LNG) në ngushticën strategjike të Hormuzit.

Anija “Al Rekayyat”, me flamur të Katarit, u godit gjatë natës nga një dron, duke shkaktuar zjarr në dhomën e motorit. Ekuipazhi është raportuar i sigurt dhe po evakuohej, ndërsa burime të sigurisë detare paralajmëruan se zjarri mund të rrezikonte shpërthimin e anijes.

Ministria e Jashtme e Katarit e dënoi sulmin si një kërcënim të papranueshëm ndaj sigurisë së lundrimit ndërkombëtar dhe furnizimeve globale me energji. Doha deklaroi se Irani mban përgjegjësi të plotë ligjore për sulmin dhe pasojat e tij, shkruan A2CNN. 

Në të njëjtën ditë, një tjetër cisternë nafte me flamur saudit u dëmtua pranë brigjeve të Omanit, ndërsa një agjenci e lidhur me Marinën Britanike raportoi edhe një incident tjetër me një anije tregtare të goditur nga droni në ngushticë.

Ngjarjet ndodhën ndërsa në Iran vijojnë ceremonitë masive të zisë për liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei, ku qindra mijëra njerëz dolën në rrugët e qytetit të shenjtë të Kumit për homazhe.

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA do të rifillojë operacionet ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje e re me Iranin. “Ose do të bëjmë një marrëveshje, ose do ta përfundojmë punën”, është shprehur Trump.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos