
Jo vetëm Shqipëria, por edhe Italia u kërcënua një ditë më parë nga alarmet për bomba në gjuhën arabe në shkolla.
Mbi 50 institucione arsimore në disa zona të Italisë u evakuuar të hënën, më 19 tetor, pas kërcënimeve për bombë të mbërritura përmes emaileve anonime. Alarmet u raportuan në provincat e Veronës dhe Padovës, si dhe në Arezzo, Lucca e Chieti, duke vënë në lëvizje forcat e policisë dhe ekipet e specializuara për kontrollin e ambienteve, shkruan A2 CNN.
Në provincën e Veronës u evakuuan 27 institucione arsimore, nga kopshtet deri te shkollat e ciklit të ulët. Sipas raportimeve, kërcënimi mbërriti përmes një emaili që dyshohet se ishte shkruar në gjuhën arabe. Nxënësit u sistemuan fillimisht në palestra dhe më pas u morën nga familjarët.
Evakuime pati edhe në provincën e Padovës, në shkollën Rodari, institutin Neëton në Camposampiero dhe shkollën Vivaldi në Montegrotto Terme. Kontrollet e policisë dhe karabinierëve rezultuan negative, përcjell A2 CNN.
Në liceun Vasari, në Arezzo, rreth 600 nxënës dhe punonjës u evakuuan pas një sinjalizimi për bombë. Ndërkohë, në provincën e Luccës, alarmi preku 11 institucione arsimore në zonën e Oltreserchio.
Në Chieti u evakuuan tetë shkolla, ku mësojnë rreth 1 mijë nxënës, pas një emaili anonim drejtuar drejtuesve të institucionit. Bashkia sqaroi se nuk ishte urdhëruar evakuimi i të gjitha shkollave të qytetit dhe se nuk kishte të dhëna për një rrezik real, shkruan A2 CNN.
Kontrollet vijuan në institucionet e prekura, ndërsa deri në përfundim të verifikimeve nuk ishte raportuar gjetja e mjeteve shpërthyese. (A2 Televizion)