“Ata që shkatërruan do paguajnë” ,“Grushti i hekurt” i Macron kundër protestuesve

Nga Erjon Dervishi
19 Tetor 2026, 16:47 | Bota

Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për qetësi, një ditë pasi Franca përjetoi një nga ditët e saj më të rënda të trazirave në vitet e fundit, pas protestave lidhur me çmimet e larta dhe përkeqësimin e shërbimeve publike.

Përleshje të reja shpërthyen në Paris dhe Marsejë, ku policia e ndërhyrjes së shpejtë ndërhyri për të parandaluar përpjekjet për të plaçkitur biznese.

“Duke parë këto pamje, të gjithë e kemi pyetur veten: Çfarë u shkonte nëpër mend? Si mund t’ia bëjnë francezët këtë Francës?”, tha Macron në një fjalim televiziv drejtuar kombit.

Trazirat e së shtunës nxorën në pah zemërimin e thellë ndaj Macronit, i cili largohet nga detyra në vitin 2027, pas një dekade në pushtet, periudhë kjo që është karakterizuar gjithnjë e më shumë nga pakënaqësia sociale, ekonomia e dobët dhe borxhi në rritje të shpejtë.

Macroni theksoi se ata që protestonin në mënyrë paqësore kishin ankesa të ligjshme dhe se veprimet e tyre nuk duhen ngatërruar me ato të personave që kërkojnë të shkaktojnë kaos. Për këta të fundit, ai premtoi dënime të ashpra.

“Ata që shkatërruan pronën duhet të paguajnë. Ata që plaçkitën duhet të kompensojnë dëmin. Ata që u përpoqën të rrëzonin Republikën do të mbajnë përgjegjësi. Disa qindra mijëra bashkëqytetarë tanë protestuan, me dëshirën për të shprehur kërkesa legjitime.

Nuk duhet t’i ngatërrojmë kurrë ata me ata që shkatërruan, vandalizuan dhe plaçkitën. Këta protestues shprehën shqetësimin lidhur me koston e jetesës dhe çmimet e karburanteve, të cilat burojnë nga konflikti që nisi në Gjirin Persik një konflikt në të cilin Franca nuk ka marrë pjesë, por pasojat e të cilit po i vuajmë. I kuptoj plotësisht shqetësimet e tyre.”

Në të njëjtën kohë, Macron ka refuzuar dorëheqjen e ofruar nga ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, pasi, sipas tij, disa qytete nuk ishin më në duart e policisë.

Macron tha se Nunez duhet të qëndrojë në detyrë për të siguruar ruajtjen e zinxhirit të komandës brenda policisë dhe forcave të sigurisë.

Gjithashtu, ai i ka kërkuar Nunez-it të hartojë sa më shpejt të jetë e mundur qasje të reja për t’u përballur me plaçkitësit, shtoi Pallati Élysée.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos