Polonia u bë të mërkurën shteti i parë i NATO-s që shënjestroi drejtpërdrejt dronë rusë, që prej fillimit të luftës në Ukrainë, në shkurt të 2022-shit. Varshava, e cila e quajti këtë një akt provokues të paprecedentë, ka kërkuar mbajtjen e një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë të enjte. Siç tha ministri i Jashtëm Radosław Sikorski, Këshilli i Sigurimit do të mblidhej për të tërhequr vëmendjen e gjithë botës te ajo që ai e quajti “sulmi i qëllimshëm i dronëve rusë”.
Varshava dhe aleatët reaguan të alarmuar, me kryeministrin Donald Tusk që paralajmëroi se ishin më pranë një konflikti të armatosur se çdo herë tjetër që prej Luftës së Dytë Botërore, shkruan A2 CNN. Të enjten, Tusk vizitoi pilotët në bazën ushtarake të Lask, ku theksoi rëndësinë e përmbushjes së angazhimeve të aleatëve dhe modernizimit të forcave ajrore polake.
“Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar që angazhimet tona si aleatë, të cilat janë kaq të rëndësishme nga perspektiva jonë sot, të përmbushen nga të gjithë anëtarët, në mënyrë që ne, si vend, dhe ju, si pilotë polakë, të mos jemi kurrë vetëm, qoftë në kohë paqeje apo lufte. Ne shpresojmë që amerikanët do t’i përmbushin afatet e tyre dhe që grupi i parë i avionëve F-35 të mbërrijë këtu në maj, në mënyrë që muaj pas muaji dhe vit pas viti të mund të flasim me besim për fuqinë tonë ajrore dhe që Polonia të jetë vërtet e sigurt nga qielli”, tha Tusk.
Polonia regjistroi hyrjen e 19 dronëve, disa prej të cilëve fluturuan mjaftueshëm në thellësi të vendit, duke detyruar pezullimin e fluturimeve në katër aeroporte. Siç raportohet, deri më tani janë rikuperuar mbetje nga 16 dronë të rrëzuar. Liderët europianë thanë se inkursioni, i cili ndodhi mes një vale të rëndë sulmesh kundër Ukrainës, konfirmonte frikën e aleatëve mbi qëllimin e Moskës për të zgjeruar luftën.
Polonia njoftoi se kishte kufizuar trafikun ajror përgjatë kufirit lindor, një masë që do të zbatohej deri në fillim të dhjetorit. Agjencia Polake për Navigimin Ajror tha se ky hap ndërmerrej për të garantuar sigurinë kombëtare. (A2 Televizion)