Producentja e lajmeve ndërkombëtare në A2CNN Rosalba Bejdo duke analizuar situatën në Lindjen e Mesme, foli në emisionin “Dita Jonë” se sa rrezikohet Shqipëria nga Irani.
Bejdo tha se me përshkallëzimin e luftës asnjë shtet nuk mund të jetë imun, duke parë që janë shënuar incidente në vende europiane si Qipro dhe Turqia. Megjithatë ajo theksoi se arsenali i Iranit nuk është pafund dhe mbetet për t’u diskutuar nëse Tehrani mund të marrë përsipër të lëshojë një raketë me rreze të gjatë, në drejtim të Manzës.
“Në një luftë të përmasave të tilla, që po përshkallëzohet me shpejtësi në rajon, askush nuk mund të jetë imun. Aq më tepër kur po shohim që raketat kanë mbërritur deri në Europë, në bazën britanike të Qipros, gjithashtu kanë shënjestruar ditën e djeshme edhe Turqinë, që është vend anëtar i NATO-s, edhe pse raketa u shkatërrua nga avionët e NATO-s, sigurisht është një zhvillim i rëndësishëm dhe tregon sinjale përshkallëzimi. Pastaj duke marrë parasysh spekulimet dhe raportimet në media që Shqipëria është në rrezen e sulmeve iraniane, pasi strehojmë grupin opozitar të muxhahedinëve, është pretenduar që mund të bëhemi edhe ne shënjestër, se sa të vërteta janë dhe se sa Irani mund të marrë përsipër të lëshojë arsenalin e tij më të mirë, sepse do duhej një raketë me rreze të gjatë për të mbërritur në bazën e opozitarëve atje, mbetet për t’u diskutuar, sepse arsenali i Iranit s’është pafund. Edhe ato armatimet më të mira presupozohet që duhet t’i mbajë për t’u përballur me rrezikun eminent që ka”, tha Bejdo. (A2 Televizion)